Ariana Grande ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj personave që dyshohet se kanë depërtuar në materialet e saj personale dhe profesionale, duke vjedhur këngë të papublikuara, si edhe foto e video private, të cilat më pas janë nxjerrë në shitje në internet.
Padia është depozituar në një gjykatë në Los Angeles, ku autorët identifikohen për momentin si “John Doe”, pasi identiteti i tyre ende nuk është zbuluar. Këngëtarja kërkon që gjatë procesit gjyqësor ata të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi për shkeljet e kryera.
Sipas mediave amerikane, hakerët dyshohet se kanë hyrë në llogaritë online të bashkëpunëtorëve të artistes, duke siguruar akses në një sasi të madhe materialesh konfidenciale. Vetëm gjatë vitit 2023 raportohet se janë publikuar ilegalisht 45 këngë të papërfunduara.
Në dokumentet e gjykatës thuhet gjithashtu se një prej autorëve është paraqitur si fotograf për të mashtruar një anëtar të stafit të Grandes, me qëllim marrjen e fotografive private të artistes. Mes materialeve të vjedhura përfshihen edhe pamje nga prapaskenat e videoklipeve dhe sesioneve të regjistrimit, të cilat dyshohet se janë shitur në internetin e errët.
Ekipi ligjor i Ariana Grandes argumenton se publikimi i paautorizuar i këtyre materialeve ka cenuar rëndë privatësinë e saj dhe ka shkaktuar dëme profesionale e personale. Në padi theksohet se këto veprime përbëjnë jo vetëm një shkelje të të drejtave të artistes, por edhe të marrëdhënies së besimit që ajo ka ndërtuar me publikun e saj.
Ndërkohë, Grande vijon të jetë në një moment të suksesshëm të karrierës. Albumi i saj më i fundit “Petal” ka marrë vëmendje të madhe, ndërsa kënga “Hate That I Made You Love Me” renditet mes këngëve më të dëgjuara në Spotify. Paralelisht me muzikën, ajo po vazhdon edhe angazhimet në aktrim, me projekte të rëndësishme në kinema dhe teatër, si dhe me një seri koncertesh që do të nisë në Londër gjatë muajit gusht./mxh
