Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, ka mohuar se ka bërë thirrje për spastrim etnik, duke deklaruar se ndaj saj po zhvillohet një “fushatë politike”.
Gjatë debatit në Kuvendin e Serbisë, Paunoviç tha se nuk ka mbështetur asnjëherë spastrimet etnike dhe se ka dënuar vazhdimisht të gjitha krimet.
Duke iu drejtuar deputetëve, ministrja deklaroi se qeveria serbe nuk mund të mbahet përgjegjëse për deklarata që lidhen me historinë e saj personale apo me një intervistë televizive.
“Dua t’u them qytetarëve të Serbisë se qeveria, pjesë e së cilës jam si ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, nuk mban dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi për atë që ishte historia ime personale në një emision televiziv. Profesori Gjuro Maçut, i cili është sulmuar në mënyra të ndryshme gjatë këtyre tre ditëve, nuk duhet të vihet në shënjestër për këtë çështje”, deklaroi Paunoviç.
Ajo shtoi se kjo çështje po përdoret për përfitime politike, duke thënë se mund t’u përgjigjej të gjitha akuzave, por nuk e konsideron të nevojshme.
“Mendoj se qytetarët e Serbisë e dinë shumë mirë se kush është ministër, kush përfaqëson pushtetin dhe kush opozitën. Ata do të vendosin me votën e tyre”, tha ministrja.
Reagimet ndaj Paunoviç nisën pas një interviste të saj për “Kurir”, ku ajo deklaroi se “po të ishte në vend të Slobodan Millosheviçit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”. Deklarata shkaktoi reagime të forta nga opozita dhe opinioni publik në Serbi.
Në të njëjtën seancë foli edhe ministri i Brendshëm dhe kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili tha se është normale që opozita të kërkojë shkarkimin e qeverisë, por theksoi se kabineti aktual ka mbështetjen e shumicës parlamentare.
“Është normale që opozita të kërkojë shkarkimin e qeverisë. Por qeveritë bien vetëm kur janë të prira të bien”, deklaroi Daçiç./ad
