Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është liruar nga burgu pas dy vitesh në qeli për të vijuar me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Vendimi është marrë nga GJKKO pas shqyrtimit të kërkesës së Beqajt për shuarjen e masës “arrest në burg”, me argumentin se janë tejkaluar afatet e paraburgimit.
“Kërkuesi, i pandehuri Ilir Beqaj me datë 30.07.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimi i humbjes së fuqisë së paraburgimit dhe shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg”; lirimi i menjëhershëm; subsidarisht caktimi i një mase më të butë sigurimi.”. 2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Elsa Ulliri, me vendimin nr. 550, datë 31.07.2026, vendosi: 1. Pranimin e kërkesës. 2. Konstatimin e humbjes së fuqisë së masës së sigurimit “Arresti në burg”, caktuar ndaj të pandehurit Ilir Beqaj me anë të vendimit me Nr. 65, datë 03.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, për shkak të kalimit të afatit të paraburgimit. 3. Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Ilir Beqaj. 4. Urdhërohet i pandehuri Ilir Beqaj të mos largohet nga banesa e tij, e ndodhur në ****, Rruga ****, Pallati ****, sheshi **** ap. ****. 5. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Ilir Beqaj nëse nuk mbahet i dënuar, i arrestuar apo i ndaluar për ndonjë vepër tjetër penale. 6. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore për ndjekjen edhe zbatimin e këtij vendimi. 7. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar”, thuhet në vendimin e GJKKO.
Ilir Beqaj ishte arrestuar në korrik 2024 me urdhër të SPAK dhe që prej atëherë ndodhej në paraburgim. Më herët, GJKKO dhe Apeli i GJKKO-së kishin rrëzuar disa kërkesa të tij për ndryshimin e masës së sigurisë./kb
