Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez mund të jenë gati të hedhin hapin më të rëndësishëm në marrëdhënien e tyre. Sipas mediave portugeze, çifti po përgatit një ceremoni martesore, e cila pritet të zhvillohet këtë fundjavë në Portugali.
Raportimet bëjnë të ditur se eventi është planifikuar për të shtunën, 1 gusht, në Quinta da Regaleira, një nga pronat më të njohura dhe luksoze në Sintra. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga futbollisti apo partnerja e tij.
Sipas burimeve të cituara nga mediat lokale, ceremonia është menduar të jetë diskrete, me pjesëmarrjen e familjarëve dhe një rrethi të ngushtë miqsh, larg kamerave dhe vëmendjes së madhe mediatike.
Megjithëse dasma parashikohet të jetë private, emrat që përfliten si të ftuar kanë tërhequr menjëherë vëmendje. Në listën e publikuar nga mediat përmenden Kylian Mbappé, Vinícius Júnior, Rodrygo, Vin Diesel, Piers Morgan, Rihanna, Jennifer Lopez, Drake, Travis Scott, Khabib Nurmagomedov, Rio Ferdinand dhe IShowSpeed.
Ende nuk është bërë e ditur nëse futbollistët e Al Nassr, skuadra ku aktivizohet Ronaldo, do të marrin pjesë në këtë ceremoni.
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez janë në një lidhje që prej vitit 2016, pasi u njohën në Madrid, ku Georgina punonte në një butik të markës Gucci. Gjatë këtyre viteve ata kanë krijuar një familje së bashku dhe janë shndërruar në një nga çiftet më të ndjekur në botën e sportit dhe showbiz-it.
Për momentin, gjithçka mbetet në kuadër të raportimeve mediatike dhe nuk ka një deklaratë zyrtare që konfirmon organizimin e dasmës. Në ditët në vijim pritet të mësohet nëse këto zëra do të rezultojnë të vërteta./mxh
