Google ka pezulluar një funksion të ri në Google Earth që u lejonte përdoruesve të krijonin imazhe satelitore me Inteligjencë Artificiale vetëm duke shkruar një kërkesë.
Vendimi erdhi vetëm një ditë pas prezantimit të funksionit, pasi ekspertët paralajmëruan se ai mund të përdorej për të krijuar imazhe të rreme të luftërave, katastrofave natyrore, sulmeve apo incidenteve të tjera që nuk kishin ndodhur në të vërtetë. Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Google tha se funksioni ishte përdorur nga profesionistë të fushës gjeohapësinore për qëllime të dobishme. Megjithatë, kompania pranoi se në internet po shpërndaheshin pamje të krijuara me këtë mjet, të cilat dukej se shkelnin politikat e saj. Për këtë arsye, Google vendosi ta tërheqë përkohësisht funksionin, ndërsa punon për vendosjen e masave më të forta të sigurisë. Kur funksioni u prezantua fillimisht, përdoruesit mund të afroheshin në çdo vend në Google Earth, të zgjidhnin opsionin “krijo imazh” dhe të shkruanin çfarë dëshironin të shihnin.
Problemi ishte se sistemi dukej se pranonte pothuajse çdo kërkesë. Studiuesi i burimeve të hapura Henk van Ess tregoi se kishte provuar të krijonte imazhe me refugjatë në kufirin e Meksikës, një central bërthamor në Iran, një aksident në Amsterdam dhe një spital me një krater bombe në Gaza. Sipas tij, asnjë nga këto kërkesa nuk ishte refuzuar. Edhe NPR arriti të krijonte lehtësisht pamje të rreme të ishullit Kharg në Iran të përfshirë nga zjarret, si dhe të kompleksit të Kapitolit amerikan të përmbytur. Asnjë nga këto ngjarje nuk kishte ndodhur, por nëse imazhet do të shpërndaheshin pa shpjegim, ato mund të interpretoheshin si lajme të vërteta. Ky zhvillim shqetësoi veçanërisht gazetarët dhe ekspertët që përdorin imazhet satelitore për të verifikuar lajmet, konfliktet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në zona ku qasja është e vështirë.
Deri tani, imazhet satelitore konsideroheshin një nga burimet më të besueshme për të kontrolluar nëse një ngjarje kishte ndodhur vërtet. Ato përdoreshin për të krahasuar video dhe fotografi nga terreni, për të identifikuar vendndodhje dhe për të dokumentuar dëme pas sulmeve apo fatkeqësive. Edhe pse pamjet e Google Earth nuk janë gjithmonë të përditësuara, mbulimi i gjerë dhe cilësia e tyre i kanë bërë ato një mjet të rëndësishëm për hetuesit dhe gazetarët.
Sipas Jake Godin, studiues në organizatën Bellingcat, imazhet satelitore kanë qenë për një kohë të gjatë një pikë referimi e besueshme, sepse kanë qenë të vështira për t’u falsifikuar. Ato zakonisht kontrollohen nga kompani ose institucione dhe prodhohen nga kamera që ndodhen qindra kilometra mbi Tokë. Megjithatë, raste të imazheve satelitore të falsifikuara janë shfaqur edhe më parë. Gjatë konfliktit mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, në mediat iraniane qarkulluan imazhe të rreme që pretendonin se tregonin dëmtime në një bazë amerikane në Bahrein. Sipas ekspertëve, mundësia për të krijuar imazhe të tilla vetëm me një klikim e bën procesin shumë më të shpejtë dhe rrit rrezikun që përmbajtjet e rreme të përhapen në masë. Një tjetër shqetësim është se përhapja e “deepfake”-ve satelitore mund t’u japë qeverive dhe institucioneve mundësinë të mohojnë edhe imazhet reale, duke pretenduar se janë krijuar nga inteligjenca artificiale. Kjo mund të dëmtojë më tej besimin e publikut te informacioni vizual.
Google tha se i merr seriozisht problemet e dezinformimit dhe se imazhet e krijuara nga sistemi përmbajnë shenjën digjitale SynthID, e cila i identifikon ato si përmbajtje të gjeneruara nga AI në mjetet e tjera të kompanisë, përfshirë Gemini. Kompania gjithashtu deklaroi se bllokon krijimin e imazheve që lidhen me tema të dëmshme dhe se vazhdimisht përmirëson sistemet e mbrojtjes. Megjithatë, shumë ekspertë të hetimeve me burime të hapura mbetën skeptikë. Për ta, vendimi ishte veçanërisht shqetësues, pasi Google Earth ka qenë prej vitesh një nga mjetet më të rëndësishme për të verifikuar informacionin dhe pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale./ad
