Përplasjet diplomatike mes Spanjës dhe Italisë për çështjen e migracionit vijojnë, ndërsa zhvillimet e fundit në Ceuta kanë rikthyer debatin mbi mënyrën se si vendet e Bashkimit Evropian po përballen me flukset migratore.
Në një intervistë për radion dhe televizionin publik spanjoll RTVE, ministri i Jashtëm i Spanjës, José Manuel Álvarez, deklaroi se “shumë vende dhe qeveri nuk u ngritën në lartësinë e situatës”, duke shtuar se “qeveria italiane ishte njëra prej tyre”.
Álvarez kujtoi periudhat kur Italia përballej me flukse të larta migrantësh të parregullt dhe iu referua krizave të përsëritura në ishullin e Lampeduzës, duke theksuar se vendi nuk arriti t’i menaxhonte ato në mënyrë efektive.
“Spanja ka qenë gjithmonë në solidaritet, si politikisht ashtu edhe me veprime konkrete. Kjo është ajo që kërkojmë edhe nga partnerët tanë evropianë”, u shpreh kreu i diplomacisë spanjolle.
Nga ana tjetër, burime të Ministrisë së Brendshme italiane kundërshtuan deklaratat e Madridit, duke theksuar se falë politikave të zbatuara nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, mbërritjet e emigrantëve të paligjshëm janë ulur ndjeshëm.
Sipas autoriteteve italiane, nga janari i këtij viti e deri më sot, numri i emigrantëve që kanë mbërritur në Itali ka rënë me 55% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe me 82% krahasuar me vitin 2023.
Burimet italiane shtuan gjithashtu se situata në ishullin e Lampeduzës është aktualisht nën kontroll dhe se në ishull ndodhen vetëm 98 emigrantë, duke mohuar ekzistencën e një emergjence migratore./mxh
