Last Updated on 04/08/2026 by EL
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shpallur konkurs për rekrutimin e prokurorëve të rinj në sistemin prokurorial. Nga 34 pozitat e lira, 10 do të rezervohen për kandidatët nga komuniteti serb, si masë afirmative për garantimin e përfaqësimit të tyre në sistemin e drejtësisë.
Anëtari i Këshillit Prokurorial, Dardan Vuniqi, tha se aktualisht në sistem ushtrojnë detyrën 177 prokurorë aktivë, ndërsa deri në fund të vitit dy prej tyre do të dalin në pension. Sipas tij, kjo krijon nevojën për plotësimin e vendeve vakante, duke respektuar edhe detyrimet kushtetuese për përfaqësimin e komuniteteve.
“Komisioni për Buxhet dhe Financa i Këshillit Prokurorial rezulton se numri i përgjithshëm i pozitave në sistemin prokurorial është 209. Bëhet fjalë për prokurorë. Aktualisht, funksionin e prokurorit të shtetit e kryejnë 177 prokurorë aktivë. Sipas planifikimeve, dy prokurorë do ta përfundojnë mandatin këtë vit për shkak të pensionimit, duke e çuar numrin në 175. Prandaj, në sistemin prokurorial ekzistojnë 34 pozita të lira dhe, prej tyre, 10 pozita duhet të rezervohen për prokurorë nga komuniteti serb, si veprim afirmativ”, tha Dardan Vuniqi, Anëtar i KPK-së.
Komisioni e mbështet këtë vendim në nenet 109 dhe 110 të Kushtetutës së Kosovës, të cilat përcaktojnë se sistemi prokurorial duhet të pasqyrojë karakterin shumetnik të vendit dhe të garantojë përfaqësim për komunitetet e nënpërfaqësuara.
Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, u bëri thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb të aplikojnë, duke garantuar se procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Ai bëri të ditur edhe përbërjen e komisionit që do të shqyrtojë aplikimet.
“Anëtarët e komisionit për shqyrtim janë Zejnulla Gashi, kryeprokuror i shtetit dhe anëtar i KPK-së; Lulzim Sylejmani, prokuror në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, anëtar; dhe Shkëlzen Ibrahimi, prokuror në Prokurorinë e Apelit, anëtar”, theksoi Arian Gashi – Kryesues i KPK-së.
Me shtatë vota pro, Këshilli Prokurorial miratoi shpalljen e konkursit për rekrutimin e prokurorëve të rinj. Konkursi do të jetë i hapur për 15 ditë, duke nisur nga 17 gushti 2026./et
