Last Updated on 04/08/2026 by EL
Të paktën 19 persona kanë humbur jetën në Korenë e Jugut si pasojë e valës ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë vendin, ndërsa autoritetet kanë regjistruar temperatura rekord dhe mijëra raste me probleme shëndetësore të lidhura me vapën.
Sipas Ministrisë së Brendshme, nga 15 maji deri më 2 gusht, 2,025 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të temperaturave të larta.
Presidenti Lee Jae-myung u bëri thirrje institucioneve të shtojnë mbështetjen për qytetarët e prekur dhe të përshpejtojnë masat mbrojtëse, duke paralajmëruar se fenomenet ekstreme të motit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
“Duhet të reformojmë plotësisht sistemin kombëtar të menaxhimit të krizave, pasi këto kushte ekstreme të motit po bëhen normale”, deklaroi presidenti gjatë një mbledhjeje të kabinetit.
Ai urdhëroi gjithashtu një rishikim të sistemeve energjetike, për shkak të rritjes së ndjeshme të konsumit të energjisë nga përdorimi i pajisjeve të kondicionimit.
Ndërkohë, në qytetin Yangsan, në juglindje të vendit, termometri shënoi 42.5 gradë Celsius, temperatura më e lartë e regjistruar në 122 vjet matjesh, sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Koresë së Jugut.
Pas paralajmërimit të parë për valë të nxehti në pjesë të Seulit dhe provincës Gyeonggi, Administrata Meteorologjike e Koresë e ka zgjeruar alarmin në të gjithë kryeqytetin, ndërsa autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën./et
