Raportohet se 14 persona kanë humbur jetën dhe 22 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi masiv rus me raketa balistike dhe dronë ndaj Kievit dhe rajonit përreth, një nga goditjet më vdekjeprurëse ndaj kryeqytetit ukrainas gjatë këtij viti.
Sulmi nisi pak pas mesnatës së së mërkurës, ndërsa alarmet për sulme ajrore qëndruan aktive për më shumë se një orë. Sipas kreut të administratës ushtarake të Kievit, Timur Tkachenko, Rusia kreu një valë sulmesh që goditën ndërtesa banimi, depo dhe objekte të tjera infrastrukturore.
Tkachenko bëri të ditur se nëntë persona u vranë në distriktin Boryspil, katër në Bucha dhe një në Fastiv. Ndërkohë, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, paralajmëroi se disa persona mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënoja, duke shtuar se katër nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë.
Autoritetet ukrainase akuzuan Rusinë për sulme të qëllimshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile. Në të njëjtën kohë, Ukraina u bëri thirrje aleatëve perëndimorë të rrisin furnizimin me raketa interceptuese Patriot, për të përballuar sulmet balistike ruse.
Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se objektivat e goditura ishin qendra logjistike dhe furnizimi me pajisje ushtarake në Kiev dhe rajonin përreth. Moska tha gjithashtu se kishte goditur tre anije mallrash pranë portit të Odesës, të cilat, sipas saj, transportonin armë dhe pajisje ushtarake.
Sulmet vijnë në një periudhë kur përplasjet mes dy vendeve janë intensifikuar. Ukraina ka shtuar goditjet ndaj objektivave brenda territorit rus, përfshirë depot dhe infrastrukturën energjetike, ndërsa Rusia vazhdon sulmet ajrore ndaj qyteteve ukrainase.
Ndërkohë, të dyja palët vazhdojnë të mohojnë se kanë në shënjestër civilët, megjithëse lufta ka shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha në infrastrukturën civile./ Kb
