Sean “Diddy” Combs nuk do të lirohet në datën e parashikuar më parë, pasi autoritetet amerikane kanë rishikuar afatin e vuajtjes së dënimit të tij.
Sipas informacionit të përditësuar nga Byroja Federale e Burgjeve, reperi pritet të dalë nga burgu më 20 shkurt 2028, duke zëvendësuar datën e mëparshme të lirimit, 24 janar 2028.
Vendimi vjen pas një incidenti të ndodhur brenda institucionit korrektues, ku Combs u përfshi në një konflikt fizik me një tjetër të burgosur. Raportohet se sherri nisi pas një ofendimi verbal, ndërsa ndërhyrja e personelit të burgut shmangu përshkallëzimin e situatës. Pas ngjarjes, artisti u transferua përkohësisht në izolim.
Kjo është hera e radhës që afati i lirimit të tij ndryshon. Gjatë muajve të fundit, data është rishikuar disa herë, duke kaluar nga vera e vitit 2028 në prill, më pas në shkurt, janar dhe tashmë është vendosur sërish në muajin shkurt.
56-vjeçari po vuan një dënim katërvjeçar në Institucionin Federal Korrektues Fort Dix, në New Jersey, pasi u shpall fajtor për akuza që lidhen me transportimin e personave me qëllim prostitucioni.
Përveç dënimit me burg, gjykata i ka vendosur edhe një gjobë prej 500 mijë dollarësh, si edhe detyrimin për të ndjekur programe rehabilitimi për shëndetin mendor dhe trajtimin e varësisë./mxh
