Zendaya dhe Tom Holland duket se kanë kurorëzuar në fshehtësi historinë e tyre të dashurisë. Sipas mediave ndërkombëtare, dy aktorët kanë organizuar një ceremoni shumë private, e ndjekur nga një festë intime me familjarë dhe miq të ngushtë.
Raportohet se eventi u zhvillua në hotelin luksoz Beaverbrook, në Surrey të Anglisë, një vend me rëndësi të veçantë për Tom Holland, pasi ndodhet pranë zonës ku ai është rritur. Për të garantuar diskrecion maksimal, të pranishmëve dhe stafit iu kërkua të mos përdornin telefonat celularë gjatë gjithë aktivitetit.
Sipas burimeve amerikane, çifti rezervoi të gjithë kompleksin, me një kosto që thuhet se kaloi 670 mijë dollarët, duke siguruar privatësi të plotë për të ftuarit.
Zërat për martesën nisën të qarkullonin prej kohësh, sidomos pasi stilisti i Zendayas, Law Roach, la të kuptohej në një intervistë se aktorët kishin shkëmbyer tashmë betimet martesore në një ceremoni larg syrit të publikut.
Dyshimet u shtuan edhe më shumë kur Zendaya u pa duke mbajtur një unazë martese në vend të unazës së fejesës. Ndërkohë, gjatë promovimit të filmit të tyre më të fundit, ajo iu përgjigj me humor një fansi që i propozoi martesë, duke thënë: “Je shumë vonë!”
Edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka bërë një konfirmim zyrtar, raportimet e fundit dhe organizimi i festës private kanë forcuar bindjen se Zendaya dhe Tom Holland kanë hedhur tashmë hapin drejt martesës./mxh
