Rusia po shqyrton mundësinë e një sulmi të rremë ndaj infrastrukturës kritike në vendet baltike, duke përdorur dronë ukrainas, me qëllim diskreditimin e Kievit dhe dobësimin e mbështetjes së NATO-s për Ukrainën, ka paralajmëruar ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas.
“Po flasim për një operacion të mundshëm me flamur të rremë, ku mund të përdoret një dron i rremë ukrainas. Ky është skenari aktual më realist”, tha ai gjatë një konference për shtyp.
Për një sulm të tillë mund të përdoren pjesë të dronëve ukrainas që janë lëshuar kundër objektivave ushtarake dhe energjetike brenda Rusisë.
Ukraina ka kryer vazhdimisht sulme me dronë me rreze të gjatë ndaj objektivave në territorin rus. Ndërsa shumë prej tyre arrijnë objektivat e tyre, të tjerë kapen ose rrëzohen, duke lënë mbetje në duart e Rusisë.
“Rusia është në gjendje t’i montojë ato në një pajisje funksionale dhe ekziston një mundësi teorike që një pajisje e tillë të përdoret në një operacion me flamur të rremë”, tha Kaunas.
Ministri tha se nuk ka asnjë tregues që një operacion i tillë është i afërt, por shtoi se Rusia po planifikon në mënyrë aktive skenarë të ndryshëm.
Paralajmërimi i tij vjen pas raportimeve të fundit në mediat lituaneze se inteligjenca ushtarake e vendit beson se Rusia po shqyrton sulme ndaj infrastrukturës kritike në rajonin baltik, duke përdorur dronë të prodhuar në Ukrainë.
Lituania, një vend me më pak se 3 milionë banorë, ka rritur sigurinë rreth objekteve kryesore të energjisë, si terminali i gazit natyror të lëngshëm në Klaipeda, linja e interkoneksionit elektrik LitPol Link me Poloninë pranë Alytusit, një nënstacion i madh transformatorësh dhe hidrocentrali me pompim Kruonis.
Një përpjekje për të dobësuar mbështetjen ndaj NATO-s
Lituania ka përjetuar disa shkelje të hapësirës së saj ajrore nga dronët vitet e fundit. Autoritetet lituaneze kanë arritur në përfundimin se dronët që ranë në territorin e saj ishin mjete ajrore ukrainase, të devijuara nga rruga e tyre nga sistemet elektronike ruse gjatë sulmeve ndaj objektivave brenda Rusisë.
Megjithatë, një sulm i qëllimshëm ndaj infrastrukturës kritike do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm.
“Regjimi rus po kërkon mënyra alternative për të përshkallëzuar situatën, në mënyrë që të ruajë kontrollin mbi pushtetin dhe imazhin e fitores”, tha Kaunas.
Sipas tij, një nga objektivat e Moskës do të ishte të krijonte përçarje brenda aleancës dhe të ulte mbështetjen ushtarake perëndimore për Kievin./ad
