Last Updated on 07/08/2026 by Anisa
Një 55-vjeçar është vënë në pranga këtë të premte nga policia e Shkodrës, pasi dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike Cannabis Sativa në fshatin Arst.
Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë S. N., 55 vjeç, ndërkohë është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit M. K., 60 vjeç, për shpërdorim detyre.
Gjatë operacionit në fshatin Arst, forcat e rendit zbuluan 130 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Arsti”.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Arst, u gjetën të kultivuara 130 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi S. N., 55 vjeç, banues në fshatin Arst, i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Arst, shtetasin M. K., 60 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./ad
