Last Updated on 07/08/2026 by Kesjana
Shqipëria rezulton të ketë rritur fondet që jep nga buxheti për kërkim-zhvillim gjatë vitit 2025-s, por pjesa më e madhe e tyre duket se po shkon për universitetet dhe OJF-të dhe vetëm një pjesë shumë e vogël po përdoret për dy elemente shumë të rëndësishme: prodhimin industrial dhe teknologjinë, si dhe për shëndetësinë.
Të dhënat janë publikuar nga Eurostat. Sipas këtyre të dhënave, në vitin 2025 u dhanë nga buxheti 81.4 milionë euro për kërkim-zhvillim, ose 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është 0.69% e PBB-së.
Treguesi i Shqipërisë në raport me PBB-në është 0.3% e PBB-së, nga 0.69% e mesatares europiane. Në këtë nivel, Shqipëria renditet e shtata më e ulët për vendet e raportuara, ndërsa e fundit në Europë është mali i Zi (0.02%).
Mungojnë të dhënat për Kosovë, Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut. Në rajon kryeson Serbia (0.41%).
Ndonëse Shqipëria ka bërë përmirësime në raport me një dekadë më parë, të analizuara sipas treguesit tjetër, atij të shpenzimeve për kërkim zhvillim sipas banorë, të dhënat tregojnë se financimi mbetet shumë i ulët, sidomos për industrinë dhe arsimin.
Në këtë tregues Shqipëria, që del më mirë në raport me PBB-në, për shkak të madhësisë së vogël të ekonomisë, renditet e katërta nga fundi, me 34.4 euro për frymë, nga 289 euro që është mesatarja e Bashkimit Europian, ose 12% e mesatares së BE-së.
Nga këto fonde, vetëm 1.5 euro për frymë shkojnë për industrinë dhe shëndetësinë, nga 40 euro, që është mesatarja e Bashkimit Europian, ose vetëm 3.7% e mesatares së BE-së. Konkretisht, fondet për prodhimin industrial janë vetëm 0.6 euro për frymë, nga 27.5 euro në BE dhe 8 euro në Serbi.
Fondet për shëndetësinë ishin 0.9 euro për frymë, nga 19.3 euro në BE dhe 3.3 euro në Serbi.
Sipas të dhënave të Eurostat, në Shqipëri, pjesa më e madhe e buxhetit është klasifikuar në kategorinë e avancimit të përgjithshëm të dijes, ku përfshihen edhe fondet e përgjithshme universitare.Monitor/kb
