Familja e Lionel Messit po përjeton një nga momentet më të dhimbshme, pas ndarjes nga jeta të Jorge Messit, babait të yllit argjentinas.
Lajmi i hidhur është bërë i ditur ditën e sotëm, ndërsa detaje të reja kanë dalë në dritë rreth betejës së gjatë të Jorge Messit me një sëmundje të rëndë.
Sipas raportimeve të mediave argjentinase, Jorge Messi u përball me probleme serioze shëndetësore gjatë dhe pas Botërorit, ndërsa gjendja e tij vijoi të mbetej e rëndë për një periudhë të gjatë.
Situata ishte aq e vështirë, sa Lionel Messi në një moment gjatë turneut kishte menduar edhe të largohej nga grumbullimi i kombëtares për t’u kthyer në Argjentinë dhe për të qëndruar pranë të atit.
“Në një moment gjatë turneut, Messi madje mendoi të largohej nga ekipi për të shkuar e për të parë babain e tij, Jorge”, raporton gazeta argjentinase Diario Olé.
Pas finales kundër Spanjës, Messi udhëtoi me urgjencë drejt Rosarios për të kaluar kohë me babain. Sipas raportimeve, ylli argjentinas nuk kishte mundur ta takonte Jorge për rreth dy muaj.
Edhe emocionet e forta të Messit gjatë Botërorit tashmë marrin një tjetër kuptim. Lotët e tij pas golit të parë ndaj Algjerisë u interpretuan si një moment emocional, ndërsa në prapaskenë ai po përballej me shqetësimin për gjendjen shëndetësore të të atit.
Jorge Messi kaloi një periudhë në spital dhe më pas vijoi të qëndronte në shtëpinë e tij në Rosario, ku u shoqërua vazhdimisht nga bashkëshortja, Celia. Edhe ajo nuk udhëtoi gjatë kësaj periudhe, duke qëndruar pranë tij.
Fëmijët e tjerë të çiftit, Rodrigo, Matías dhe María Sol, shkonin dhe vinin vazhdimisht për t’i qëndruar pranë Jorge Messit. Ndërkohë, Lionel komunikonte shpesh me familjarët e tij për të marrë informacion mbi gjendjen e babait.
Gjendja e Jorge Messit pati momente ku dukej se po përmirësohej, por në muajt në vijim mbeti e rëndë, duke e kthyer këtë në një betejë të gjatë dhe të dhimbshme për të gjithë familjen.
Jorge Messi ishte një figurë shumë e rëndësishme në jetën dhe karrierën e Lionel Messit. Edhe pse nuk kërkonte të ishte në qendër të vëmendjes dhe përgjithësisht preferonte të qëndronte larg skenës mediatike, ai ishte një nga njerëzit më të afërt me djalin e tij gjatë gjithë rrugëtimit të tij në futboll.
Ai do të kujtohet jo vetëm si babai i një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë, por edhe si një njeri i thjeshtë dhe familjar, që i qëndroi pranë fëmijëve të tij në çdo hap të jetës./ad
