Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv që synon rishikimin e listës së vaksinave të rekomanduara për fëmijët në SHBA. Në kuadër të ndryshimeve të propozuara, administrata e tij po shqyrton edhe ndarjen e vaksinës së kombinuar MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola, në tre vaksina të veçanta.
Trump e mbrojti qëndrimin e tij duke krahasuar skemën aktuale të vaksinimit me atë të dekadave të mëparshme. Sipas tij, fëmijët dikur merrnin më pak vaksina dhe, në këndvështrimin e tij, shoqëria ishte më e shëndetshme.
Administrata Trump ka ngritur më herët pretendime për një lidhje të mundshme mes vaksinave dhe autizmit. Megjithatë, kërkimet shkencore të publikuara ndër vite nuk kanë gjetur prova që vaksina MMR shkakton autizëm.
Nga Zyra Ovale, Trump deklaroi se qasja e re nuk do të ndjekë më të njëjtin standard të rekomandimeve që përdoret aktualisht për imunizimin e fëmijëve. Sipas tij, synimi është që skema bazë të përqendrohet në 11 vaksina kundër sëmundjeve që konsiderohen më serioze.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se ndryshimet nuk lidhen vetëm me numrin e vaksinave, por edhe me mënyrën dhe kohën e administrimit të tyre, duke propozuar që ato të shpërndahen në disa vizita te mjeku.
Nisma pritet të hapë një debat të gjerë në SHBA, mes administratës Trump, institucioneve shëndetësore dhe komunitetit shkencor, mbi mënyrën më të sigurt dhe më efektive për vaksinimin e fëmijëve./ad
