Last Updated on 11/08/2026 by EL
“Cërrikun nuk e shisni dot!” Me këtë thirrje, banorë të Cërrikut kanë protestuar kundër hartës së re administrativo-territoriale, që parashikon bashkimin e kësaj bashkie me Belshin dhe Elbasanin.
Qytetarët kanë nisur mbledhjen e firmave për një peticion, përmes të cilit kërkojnë që Bashkia Cërrik të mos shkrihet dhe çdo ndryshim i hartës të bëhet vetëm pas konsultimit me komunitetin.
“Cërrikun nuk e shisni dot! Prandaj stop! Cërrikun nuk e shisni dot, se unë do bëhem “kamikaze”, do mbroj të ardhmen e qytetit tim me fëmijët e mi! Cërriku është i cërrikasve, Cërriku është i baballarëve tanë që lanë kockat në këtë qytet! Cërriku është i pasardhësve, fëmijëve tanë!”, është shprehur një banor.
Për banorët, kundërshtimi nuk lidhet vetëm me kufijtë administrativë. Ata thonë se bashkimi do të largojë shërbimet nga qytetarët dhe do t’i detyrojë ata të udhëtojnë drejt Elbasanit edhe për nevoja të zakonshme administrative.
“Ne jemi rritur këtu në këtë bashki dhe s’më bëhet që kjo bashki të ikë nga këtu. Domethënë që ne, për një firmë, për një vulë, të shkojmë në Elbasan?! Nuk është e mirë, sepse ne këtu jemi mësuar! Bashkia jonë është Cërriku! Cërriku ka një popullsi shumë të madhe dhe kështu nuk ka pse të hiqet Bashkia Cërrik”, ka vijuar një banor tjetër.
Organizatorët e peticionit thonë se nisma do të vijojë edhe pas mbledhjes së firmave. Ata paralajmërojnë se do ta ndjekin çështjen në rrugë ligjore, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga institucionet.
“Me këtë peticion kërkojmë që Bashkia Cërrik të mos shkrihet, shërbimet të mos shkojnë më tej vendit tonë. Bashkia Cërrik ka mbi 25 mijë banorë, ndërkohë kemi bashki të tjera me numër shumë më të vogël në Shqipëri, ku akoma sot nuk janë shkrirë. Kështu që i kërkojmë institucioneve vendore që Bashkia të mos shkrihet. Për këtë kemi dalë këtu, është një nismë qytetare dhe këtë nismë do ta çojmë deri në fund”, është shprehur një organizator.
Kundërshtimet ndaj hartës së re janë shfaqur edhe në zona të tjera të vendit. Në qarkun e Elbasanit, reagimet nisën në Prrenjas dhe më pas u shtrinë në Belsh e Cërrik, ndërsa në jug të vendit, banorët e Orikumit kanë kërkuar rikthimin e statusit të bashkisë.
Në Orikum, banorët janë mbledhur para Qendrës Administrative, duke kundërshtuar statusin aktual administrativ dhe duke kërkuar që zona të rikthehet në njësi të veçantë bashkiake./et
