Last Updated on 11/08/2026 by EL
Një vatër zjarri vijon të jetë aktive në masivin pyjor të Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës, ndërsa era e fortë dhe bimësia e dendur po favorizojnë përhapjen e flakëve.
Për përballimin e situatës është aktivizuar ndërhyrja nga ajri, me dy helikopterë që po hedhin ujë mbi zonat e përfshira nga zjarri, në përpjekje për të frenuar avancimin e flakëve.
Në terren vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrës nga zjarrfikësit, punonjës të Bashkisë Dibër, strukturat e zonave të mbrojtura dhe vullnetarë. Terreni i vështirë malor po e bën ndërhyrjen nga toka veçanërisht të komplikuar.
Zjarri po prek një masiv me pisha të zeza, duke rritur shqetësimin për dëmtimin e pyjeve të vjetra të Lurës. Operacioni nga toka dhe ajri vijon me synim vendosjen sa më shpejt të situatës nën kontroll./et
