Last Updated on 11/08/2026 by EL
Banorët e disa fshatrave në veri të Polonisë janë paralajmëruar të qëndrojnë larg zonave pyjore, pas raportimeve për një kafshë të madhe që dyshohet të jetë një pumë. Alarmi është dhënë në disa fshatra të qarkut Ciechanów, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm dhe të mbikëqyrin veçanërisht fëmijët, deri në sqarimin e situatës. Kafsha është raportuar nga një gjuetar me përvojë, veteriner në pension dhe ish-punonjës i Universitetit të Shkencave të Jetës në Varshavë. Ai tha se e kishte parë kafshën përmes një pajisjeje termike dhe e përshkroi si një mace të madhe, me bisht të gjatë e të përkulur, me përmasa të ngjashme me një derr të ri të egër. Pas raportimit, ekipet e pylltarisë nisën kontrollet në zonë. Pranë një pellgu u gjet edhe gjurma e një putre të madhe, e cila mund t’i përkasë një pume. Megjithatë, deri tani autoritetet nuk kanë mundur të konfirmojnë me siguri se për çfarë kafshe bëhet fjalë.
Autoritetet kanë sqaruar se, nëse kafsha gjendet, nuk planifikojnë ta qëllojnë. Përdorimi i armëve nuk është pjesë e planit, pasi kafsha do të qetësohet me anë të një injeksioni dhe më pas do të kapet në mënyrë të sigurt. Banorëve u është kërkuar të mos tentojnë t’i afrohen kafshës, ta ndjekin apo ta kapin vetë. Në rast se dikush e dallon, duhet të largohet drejt një vendi të sigurt dhe të njoftojë menjëherë shërbimet e emergjencës.
Ky nuk është rasti i parë këtë vit kur në Poloni raportohet prania e mundshme e një pume. Në korrik, një kafshë e ngjashme u pa pranë Karsinka dhe Rekowo, në zonën e Polanów, në veriperëndim të vendit. Kafsha u filmua dhe autoritetet lokale u kërkuan banorëve të qëndronin larg pyjeve. Në atë rast, prania e një pume u konfirmua. Kafsha, një femër e re, u qetësua dhe u kap në mënyrë të sigurt, për t’u transportuar më pas në kopshtin zoologjik të Poznanit, ku do t’i nënshtrohej kontrolleve dhe periudhës së karantinës. Edhe në fund të qershorit, një kafshë e ngjashme ishte parë pranë Leniuszka, në zonën e Tuczna. Një punonjës i pylltarisë Chotyłów e përshkroi atë si një kafshë të madhe me qime në nuanca të kuqërremta dhe gri, që i ngjante një pume.
