Last Updated on 11/08/2026 by EL
Nëse po planifikoni pushime me familjen e madhe ose në grup, marrja me qira e një vile mund të jetë një alternativë më ekonomike sesa qëndrimi në hotel. Një analizë e re ka renditur destinacionet europiane ku mund të gjeni vilat me raportin më të mirë mes çmimit dhe cilësisë.
Sipas “Villa Value Index” të platformës Holidu, vendin e parë e ka marrë Provence në juglindje të Francës. Vilat në këtë rajon kanë një vlerësim mesatar prej 8.9 pikësh nga 10, temperaturat mesatare maksimale gjatë gushtit dhe shtatorit arrijnë rreth 30°C, ndërsa çmimi mesatar për një natë është 151 euro.
Në vendin e dytë renditet Dordogne, në jugperëndim të Francës. Ky rajon ka një vlerësim edhe më të lartë, 9.0 pikë nga 10, ndërsa çmimi mesatar për një natë në vilë është 199 euro.
Vendin e tretë e zë Calabria në jug të Italisë, ku vilat kanë një vlerësim mesatar prej 9.2 pikësh. Çmimi për një natë arrin në rreth 221 euro.
Në vendin e katërt renditet Corsica, ishulli francez në Mesdhe, ku vilat marrin një vlerësim mesatar prej 9.1 pikësh dhe kushtojnë rreth 234 euro nata.
Top 5-shen e mbyll Costa Blanca në Spanjë, ku përfshihen destinacione të njohura turistike si Alicante dhe Benidorm. Çmimi mesatar i një vile është rreth 224 euro nata, ndërsa vlerësimi mesatar i vizitorëve është 8.5 pikë.
10 destinacionet më me leverdi për vila në Europë:
1. Provence, Francë
2. Dordogne, Francë
3. Calabria, Itali
4. Corsica, Francë
5. Costa Blanca, Spanjë
6. Tenerife, Spanjë
7. Peloponezi, Greqi
8. Lanzarote, Spanjë
9. Sicilia, Itali
10. Madeira, Portugali
Për hartimin e indeksit, Holidu analizoi 30 destinacionet më të njohura europiane për pushime në vila, duke marrë në konsideratë vlerësimet mesatare të vizitorëve, çmimin median për një natë dhe temperaturat maksimale gjatë gushtit dhe shtatorit.
Në analizë u përfshinë vetëm destinacionet me më shumë se 100 vila dhe të paktën 1,000 vlerësime nga vizitorët. Renditja u përcaktua kryesisht nga raporti mes cilësisë së vlerësuar nga turistët dhe çmimit të akomodimit.
Disa nga destinacionet më të njohura europiane nuk arritën të futeshin në listën e 30 më të mirëve. Mes tyre është edhe Bregu i Amalfit në Itali, ku çmimi median për një vilë arrin rreth 655 euro nata.
Kjo do të thotë se një vilë me vlerësim të ngjashëm në Provence mund të kushtojë rreth katër herë më pak se një akomodim i krahasueshëm në Bregun e Amalfit.
