Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 25 vatra zjarri, ndërsa 9 prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Nga Forcat e Armatosura po operojnë në terren 167 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Një nga zonat ku vijon ndërhyrja është Dajti, ku forcat e MZSH-së dhe ADZM-së po mbështeten nga një helikopter i Forcës Ajrore. Në Priskë të Madhe po operojnë 4 automjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë. Sipas autoriteteve, në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat.
Në Drenie, bashkia Patos, zjarri është riaktivizuar dhe operacioni vijon me 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Gjatë ditës së djeshme në këtë zonë u angazhuan 7 automjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH-së, forca policore e pyjore dhe vullnetarë, të mbështetur nga dy avionë “Air Tractor”.
Situata po monitorohet edhe në Krujë, në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze pritet ndërhyrja e 58 efektivëve të FA-së dhe dy helikopterëve, ndërsa në Krastë–Halil kanë operuar 58 efektivë ushtarakë me 6 mjete. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Nëmërçkë po vijon puna me forcat e MZSH-së, bashkisë dhe 25 efektivë të FA-së. Ndërkohë, në malin Dhëmbel po operojnë forcat zjarrfikëse të Përmetit, të mbështetura nga 30 efektivë ushtarakë. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, bashkiake, pyjore, ADZM, vullnetarë, 50 efektivë të FA-së, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Për shkak të afërsisë së flakëve me disa banesa, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre për mbrojtjen e komunitetit.
Aktive mbetet edhe vatra në malin e Moravës, bashkia Devoll, në një zonë të mbrojtur me pyll pishe. Në terren po punojnë forcat e MZSH-së Devoll dhe Korçë, së bashku me shërbimin pyjor. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se operacionet do të vijojnë me kapacitete të shtuara tokësore dhe ajrore, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe komuniteteve, frenimin e përhapjes së zjarreve dhe neutralizimin e plotë të vatrave aktive./kb
