Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë sot një takim në Kuç, ku në fokus pritet të jetë reforma administrativo-territoriale.
Takimi mendohet të zhvillohet rreth mesditës dhe, sipas burimeve të gazetares së Euronews Albania, Eksiola Shehu, në të pritet të marrin pjesë kryebashkiakët e bashkive që, sipas propozimit të ri, mendohet të preken nga shkrirja apo riorganizimi, së bashku me përfaqësues të tjerë vendorë.
Në takim pritet të jenë edhe dy përfaqësues të mazhorancës, Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, dhe Kreu i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku.
Bashkia Selenicë është pjesë e konsultimeve për reformën e re administrativo-territoriale. Në kuadër të procesit, Komisioni i Posaçëm Parlamentar ka zhvilluar konsultime edhe në qarkun Vlorë, ku përfshihen bashkitë Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Delvinë.
Në draftin e Partisë Socialiste të paraqitur në fund të korrikut, parashikohet reduktimi i numrit të bashkive në 46, ndërsa Selenica është përfshirë mes bashkive që propozohet të riorganizohen në kuadër të hartës së re territoriale.
Propozimi për bashkimin e Selenicës me Vlorën është kundërshtuar nga kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili ka kërkuar që Selenica të vijojë të jetë bashki më vete. Edhe deputeti socialist Vullnet Sinaj është shprehur në favor të vijimit të funksionimit të Selenicës si bashki më vete.
Takimi i sotëm në Kuç zhvillohet në kuadër të diskutimeve për reformën e re administrativo-territoriale dhe pritet të sjellë më shumë qartësi mbi qëndrimet e palëve dhe propozimet konkrete për të ardhmen e Selenicës dhe të bashkive të tjera që preken nga drafti i ri./kb
