Last Updated on 13/08/2026 by Anisa
Me dhimbje të thellë është përcjellë lajmi për ndarjen nga jeta të Skënder Halucit, një prej figurave të respektuara të komunitetit dhe një njeri i lidhur fort me vendlindjen e tij. Përmes një mesazhi prekës, Byberi ka ndarë kujtimet dhe vlerësimin e tij për mikun dhe bashkëqytetarin, duke e cilësuar atë si një njeri fisnik, human dhe atdhetar.
“Me dhimbje të thellë dhe trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëqytetarit tonë të nderuar, mikut tim të veçantë, Skënder Haluci.
Skënderi do të mbetet në kujtesën time si një nga ata njerëz që mishëruan më së miri vlerat dhe virtytet e djemve të mirë të Malësisë. Gjatë gjithë jetës së tij, ai përcolli fisnikëri, humanizëm, drejtësi, miqësi dhe, mbi të gjitha, dashurinë e pakushtëzuar për vendlindjen.
Edhe përballë vështirësive dhe vuajtjeve të pamerituara, ai diti të ruante mirësinë, fisnikërinë dhe tolerancën, duke dëshmuar gjithmonë një karakter të fortë dhe një shpirt të madh.
I tillë do të mbetet Skënder Haluci në kujtesën time dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin fisnik, human, miqësor, i drejtë dhe mbi të gjitha atdhetar e admirues i përjetshëm i vendlindjes.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, shokëve, kolegëve dhe të gjithë dashamirësve të tij.
Të qoftë i lehtë dheu, miku im.
Kujtimi yt mos u shoftë kurrë” shkruan Byberi në reagimin e bërë mesditën e sotme në Facebook-un e tij./ad
