Bashkimi Evropian dhe 26 vende perëndimore dënuan “ashpër” ekzekutimet e vazhdueshme të protestuesve në Iran, duke thënë se qytetarëve të këtij vendi duhet t’u lejohet e drejta e tubimit dhe e shprehjes së pikëpamjeve të tyre pa rrezikuar jetën.
“Përdorimi i dënimit me vdekje për të heshtur disidencën, për të frikësuar komunitetet dhe për të ndëshkuar individët që ushtrojnë të drejtat e tyre nuk mund të justifikohet kurrë”, thanë BE-ja dhe vendet e tjera, nga Kanadaja deri në Rumani, në një deklaratë të përbashkët.
“Populli i Iranit duhet të jetë i lirë të ushtrojë të drejtat e tij për lirinë e shprehjes dhe tubimit paqësor, pa frikë”, thanë ata, duke i bërë thirrje Iranit që “t’i japë fund menjëherë përdorimit të dënimit me vdekje dhe të lirojë të gjithë ata që janë ndaluar në mënyrë arbitrare”.
“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Iranit të dëgjojë zërin e popullit të tij, teksa ai kërkon ndryshim, dhe të ndërmarrë hapa domethënës për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut”, thuhet në deklaratë.
Irani ka përdorur gjerësisht dënimin me vdekje në shtypjen ndaj mospajtimit politik gjatë dhe pas protestave masive në janar./kb
