Luigi Mangione ka pranuar në gjykatë se vrau për vdekje drejtuesin e kompanisë së sigurimeve shëndetësore UnitedHealthcare, Brian Thompson, duke u deklaruar fajtor për dy akuza federale për ndjekje me qëllim vrasjen.
“E qëllova zotin Thompson në Manhattan dhe ai vdiq”, deklaroi Mangione gjatë seancës gjyqësore.
Deklarimi i fajësisë shmang një gjyq federal shumë të ndjekur për vrasjen e Thompson, i cili u qëllua më 4 dhjetor 2024, jashtë një hoteli në Manhattan, ku po zhvillohej një konferencë e investitorëve.
Mangione, 28 vjeç, tha se kishte nisur të interesohej për aktivitetin e UnitedHealthcare pasi kishte pësuar një dëmtim në shpinë dhe ishte përballur me sistemin e sigurimeve shëndetësore. Ai pranoi se kishte kërkuar informacion mbi konferencën vjetore të kompanisë, kishte përdorur një printer 3D për të prodhuar pjesë të armës dhe kishte udhëtuar drejt Nju Jorkut me synimin për të vrarë Thompson.
Gjykatësja federale Margaret Garnett e paralajmëroi se për akuzat për të cilat u deklarua fajtor mund të përballet me burgim të përjetshëm. Dënimi pritet të shpallet më 18 dhjetor. Prokuroria federale ka bërë të ditur se do të kërkojë burgim të përjetshëm.
Familja e Brian Thompson e cilësoi deklarimin e fajësisë si një “hap të rëndësishëm drejt drejtësisë” dhe kërkoi që dënimi të pasqyrojë rëndësinë e krimit.
Mangione u arrestua në Pensilvani pas një kërkimi disa-ditor nga autoritetet. Rasti u kthye në një prej çështjeve më të komentuara në SHBA, duke shkaktuar reagime të forta publike dhe debate mbi sistemin e sigurimeve shëndetësore.
Megjithatë, çështja ndaj tij në gjykatat e Nju Jorkut mbetet ende e hapur. Mangione përballet me akuza për vrasje të shkallës së dytë, ndërsa gjyqi shtetëror është planifikuar të nisë më 8 shtator.
Avokatja e tij, Karen Friedman Agnifilo, ka paraqitur një kërkesë për rrëzimin e akuzës për vrasje, duke argumentuar se Mangione nuk mund të ndiqet dy herë për të njëjtën vepër. Prokuroria e Manhatanit mund ta kundërshtojë kërkesën, duke argumentuar se akuza shtetërore është ligjërisht e ndryshme nga akuzat federale.
Nëse njëra palë humbet në këtë përballje ligjore, pritet që çështja të dërgohet menjëherë në apel./mxh
