Autoritetet amerikane kanë arrestuar një grua të dyshuar për vandalizmin e Memorialit Kombëtar të Luftës së Dytë Botërore në Uashington.
Prokurorja amerikane për Distriktin e Kolumbias, Jeanine Pirro, njoftoi se Melissa Farris është arrestuar dhe akuzuar për dy vepra penale, lidhur me dëmtimin e memorialit.
Ajo përballet me akuzat për dëmtim të pronës së Shteteve të Bashkuara dhe për shkatërrimin e një memoriali kushtuar veteranëve. Nëse shpallet fajtore, Farris rrezikon deri në 10 vite burg.
Memoriali, i vendosur në National Mall në Uashington, u vandalizua të enjten. Autorët përdorën sapun të lëngshëm, duke mbushur shatërvanin me shkumë, ndërsa në një prej sipërfaqeve u shkrua me bojë fraza “Clean hands Dirty $”, e shoqëruar me spërkatje me bojë të kuqe dhe jeshile.
Pas incidentit, policia dhe efektivë të Gardës Kombëtare mbërritën në vendngjarje, e cila u rrethua me shiritin e verdhë të skenës së krimit. Vizitorëve iu ndalua hyrja në zonën e memorialit.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar më herët se autoritetet do t’i gjenin përgjegjësit për aktin e vandalizmit.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse ka persona të tjerë të përfshirë./mxh
