Last Updated on 17/08/2026 by EL
Administrata Tatimore ka publikuar Planin Sektorial për Tregtinë dhe Shërbimet Online, si një iniciativë që synon forcimin e pajtueshmërisë tatimore, formalizimin e ekonomisë digjitale dhe krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës për bizneset që ushtrojnë veprimtari në internet.
Plani mbështetet në analizën e zhvillimit të tregtisë elektronike në Shqipëri, e cila ka njohur rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit, si dhe në kuadrin ligjor dhe strategjik në fuqi, përfshirë Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024–2027 dhe Planin Strategjik të Administratës Tatimore 2024–2028.
Në zbatim të planit do të identifikohen dhe analizohen risqet kryesore të sektorit, me fokus në:
– regjistrimin e tatimpaguesve;
– deklarimin e saktë të qarkullimit;
– përmbushjen e detyrimeve për TVSH;
– deklarimin e punonjësve dhe të pagave;
– respektimin e detyrimeve për faturimin elektronik.
Gjithashtu, plani parashikon përdorimin e analizës së riskut, shkëmbimin e të dhënave me institucione dhe operatorë të tjerë, si dhe ndërmarrjen e veprimeve të koordinuara për rritjen e pajtueshmërisë vullnetare dhe trajtimin e rasteve me risk të lartë.
Përmes këtij plani, Administrata Tatimore synon të mbështesë zhvillimin e një tregu online transparent dhe të formalizuar, duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë dhe duke kontribuar në uljen e ekonomisë informale dhe rritjen e të ardhurave buxhetore.
Administrata Tatimore fton të gjithë tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në fushën e tregtisë dhe shërbimeve online të përmbushin detyrimet e tyre tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke kontribuar në formalizimin e ekonomisë, zhvillimin e një tregu transparent dhe krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës.
