Last Updated on 22/10/2026 by Monika
Seanca plenare e kësaj të enjteje u zhvillua mes tensioneve dhe përplasjeve të shumta mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, ndërsa ditët e fundit në kryeqytet janë zhvilluar protesta masive të të rinjve.
Por vëmendja e situatës brenda Kuvendit të Shqipërisë duket se mënjanoi një zhvillim me rëndësi.
Bëhet fjalë për votimin e dy ligjeve të rëndësishme për ekonominë, sigurinë financiare dhe integrimin europian të Shqipërisë.
Sot në Kuvend u votu projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 55/2020, “Për shërbimet e pagesave””, me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Edhe projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, u miratua me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Këto dy ligje të reja synojnë shtimin e sigurisë për pagesat elektronike, transparencë për tarifat, mbrojtje më e fortë për konsumatorët dhe përafrim me standardet e Bashkimit Europian.
Po ashtu, ligjet kanë në fokus kontrollin ndaj transaksioneve të dyshimta, transparencën e pronësisë së bizneseve, rregullat për kriptoasetet dhe kufizimin e pagesave cash në transaksionet tregtare në 10 mijë euro./MXH
