Last Updated on 18/08/2026 by Anisa
Është arrestuar në Fier 29-vjeçari Sokrat Vata, i dyshuar si autori i vrasjes së 20-vjeçarit francez Migel Mendes në Ksamil.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:15, në zonën bregdetare të Ksamilit. I riu francez u gjet pa shenja jete në shezlongët pranë një beach bari, pas një konflikti ku dyshohet se u përfshinë disa persona.
Sipas të dhënave paraprake, viktima kishte qenë në lokal së bashku me persona të tjerë, ndërsa pas konfliktit dyshohet se është nxjerrë jashtë ambienteve të lokalit. Pranë hyrjes, 20-vjeçari dyshohet se është goditur me mjet prerës, duke humbur jetën.
Policia identifikoi si autor të dyshuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, me origjinë nga Hasi. Pas ngjarjes, ai ishte larguar nga vendi i krimit, ndërsa shërbimet e policisë nisën menjëherë kërkimet për lokalizimin e tij.
Pas veprimeve të policisë, Vata u lokalizua dhe u arrestua në Fier. Ai ishte fshehur në bagazhin e një makine e cila drejtohej nga një vajzë dhe pasagjer ishte edhe një person tjetër.
Sipas raportimeve, 29-vjeçari rezulton të ketë pasur edhe precedentë penalë në Britaninë e Madhe, ku në vitin 2024 është dënuar për trafik droge.
Ndërkohë, vijojnë hetimet nën drejtimin e Prokurorisë për të zbardhur plotësisht dinamikën e konfliktit./ad
