Presidenti amerikan Donald Trump po përballet me një rënie të ndjeshme të mbështetjes nga amerikanët. Sipas një sondazhi të Reuters/Ipsos, vetëm 33% e të pyeturve miratojnë mënyrën se si ai po drejton Shtëpinë e Bardhë, ndërsa 64% shprehen kundër.
Ky është niveli më i ulët i miratimit për Trump gjatë mandatit të tij aktual. Në sondazhin e mëparshëm, shifra ishte 35%.
Shumica beson se lufta me Iranin do të zgjasë
Lufta mes SHBA-së dhe Iranit duket se po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë te opinioni publik amerikan. Rreth 80% e amerikanëve mendojnë se përfshirja e SHBA-së në konflikt do të zgjasë për një periudhë të gjatë. Këtë mendim e ndajnë 87% e demokratëve dhe 71% e republikanëve.
Vetëm 16% besojnë se konflikti mund të përfundojë brenda pak javësh.
Trump kishte premtuar gjatë fushatës se do të shmangte luftërat e gjata dhe do të mbante nën kontroll inflacionin. Në fillim të konfliktit, ai tha se lufta me Iranin mund të zgjaste vetëm disa javë.
Por situata ka rezultuar më e vështirë. Irani ka vazhduar rezistencën, ndërsa tensionet kanë ndikuar edhe në transportin e naftës përmes ngushticës së Hormuzit. Vetëm një në pesë amerikanë e konsideron luftën të vlefshme.
Sondazhi tregon gjithashtu se vetëm rreth një në pesë amerikanë beson se lufta me Iranin ia ka vlejtur. Në mesin e republikanëve, këtë mendim e ndan rreth gjysma. Trump ka mbrojtur ndërhyrjen amerikane, duke argumentuar se ajo është e nevojshme për të penguar Iranin të zotërojë armë bërthamore.
Ndërkohë, rritja e çmimit të karburanteve po shton shqetësimet e amerikanëve. Çmimet e benzinës janë kthyer në një problem politik për republikanët, të cilët përpiqen të mbajnë shumicën e ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Demokratët fitojnë terren për ekonominë
Sondazhi tregon se demokratët po fitojnë avantazh edhe në çështjet ekonomike.
Rreth 38% e votuesve thonë se demokratët do ta menaxhonin më mirë ekonominë, ndërsa 35% preferojnë republikanët. Kjo është hera e parë pas rreth një dekade që demokratët kryesojnë republikanët në këtë çështje, sipas sondazheve të Reuters/Ipsos.
Në politikën e emigracionit, republikanët vazhdojnë të kenë një avantazh të vogël. Rreth 40% e votuesve preferojnë qasjen e republikanëve, kundrejt 38% që mbështesin demokratët. Në janar 2025, diferenca ishte shumë më e madhe, me republikanët 26 pikë përpara.
Sondazhi i Reuters/Ipsos u zhvillua online dhe përfshiu 1,166 të rritur në të gjithë SHBA-në. Marzhi i gabimit është rreth 3 pikë përqindjeje./mxh
