Zgjerimi i shpejtë i turizmit po krijon një treg gjithnjë e më të madh për ushqimet, por prodhimi vendas nuk po arrin ta shfrytëzojë në të njëjtën masë këtë kërkesë. Përfituesit kryesorë po rezultojnë importuesit.
Në shtatë muajt e vitit 2026, Shqipëria importoi rreth 606,4 mijë tonë produkte ushqimore, nga 537,4 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sasia e importuar u zgjerua me rreth 69 mijë tonë, ose 12,8%, sipas të dhënave të tregtisë së jashtme.
Rritja ishte e përhapur në pjesën më të madhe të grup-mallrave. Nga 20 grupet kryesore të ushqimeve dhe produkteve bujqësore, 16 shënuan shtim të sasive të importuara.
Të dhënat tregojnë se rritja e kërkesës nga turizmi, restorantet dhe strukturat akomoduese nuk po shoqërohet me një zgjerim të mjaftueshëm të prodhimit vendas. Në vend që kërkesa e re të kthehet në më shumë shitje për fermat shqiptare, një pjesë gjithnjë e më e madhe e saj po plotësohet nga jashtë.
Ky zhvillim po ndodh në një kohë kur aktiviteti turistik vijon të zgjerohet. Në qershor 2026, numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike u rrit me 17% krahasuar me një vit më parë. Vizitorët jo-rezidentë u shtuan me 20,6%, ndërsa net-qëndrimet e tyre me 9,2%, sipas INSTAT.
Në gjashtë muajt e parë të vitit, në Shqipëri hynë rreth 5,1 milionë shtetas të huaj, 6,2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Megjithëse hyrjet nuk përfaqësojnë vetëm turistë, ato tregojnë rritjen e popullsisë së përkohshme që konsumon në vend, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Drithërat dhanë 65% të rritjes
Kontributin kryesor në zgjerimin e importeve të ushqimeve e dhanë drithërat. Në janar–korrik 2026 u importuan rreth 239,3 mijë tonë drithëra, nga 194,4 mijë tonë një vit më parë.
Rritja ishte rreth 44,9 mijë tonë, ose 23,1%. Vetëm drithërat përbënin 39,5% të të gjithë sasisë së ushqimeve të importuara dhe rreth 65% të shtesës vjetore.
Pjesërisht, importet e drithërave përdoren si lëndë e parë për industrinë ushqimore dhe ushqimin e kafshëve, megjithatë, rritja e importeve nuk kufizohet vetëm te drithërat.
Importet e perimeve u shtuan me 4,5 mijë tonë, ose 11,1%, duke arritur në 45,5 mijë tonë. Sasitë e frutave dhe arrave të importuara arritën në 64,7 mijë tonë, me rritje 5,1%.
Importet e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme u rritën me 4,9%, në 28,1 mijë tonë, ndërsa produktet e bulmetit, vezët dhe mjalti u shtuan me 6,8%, në 21,6 mijë tonë.
Rritje të fortë shënuan edhe kafshët e gjalla, me 19%, produktet e industrisë së bluarjes, maltit dhe niseshtesë, me 14,2%, ushqimet e përgatitura nga mishi dhe peshku, me 17,9%, përgatitjet prej drithërave, miellit dhe qumështit, me 8,6% si dhe kakaoja dhe përgatitjet me kakao, me 19,6%.
Vetëm gjatë korrikut, grupi “Ushqime, pije dhe duhan” dha një kontribut prej 0,8 pikë përqindjeje në rritjen e importeve totale të vendit.
Prodhimi vendas nuk po ndjek ritmin e kërkesës
Të dhënat më të fundit vjetore tregojnë se disa nga degët kryesore të bujqësisë dhe blegtorisë po përballen me tkurrje ose rritje të pamjaftueshme për të mbuluar kërkesën.
Në vitin 2025, prodhimi vendas i grurit ra me 10,1%, ndërsa prodhimi i patates u ul me 7,2%. Prodhimi i perimeve u rrit vetëm me 1,5%, shumë më pak se rritja prej 11,1% e sasive të importuara gjatë 7-mujorit 2026. Të dhënat zyrtare te bujqësisë tregojnë se tregu vendas nuk po zgjerohet me të njëjtin ritëm si kërkesa.
Situata është e ngjashme në blegtori. Gjatë vitit 2025, numri i të leshtave ra me 0,9%, i të dhirtave me 7,4%, i derrave me 28,2% dhe i shpendëve me 0,5%. Prodhimi i qumështit u ul, ndërsa ai i vezëve ra me 5,8%. Vetëm prodhimi i mishit në peshë të gjallë u rrit me 2,5%, sipas statistikave të blegtorisë.
Këto zhvillime tregojnë dobësinë e lidhjes ndërmjet turizmit dhe bujqësisë. Hotelet dhe restorantet kërkojnë furnizim të vazhdueshëm, sasi të garantuara, standarde të njëjta dhe dërgesa të rregullta. Bujqësia shqiptare, e fragmentuar në ferma të vogla dhe me mangësi në grumbullim, ruajtje e shpërndarje, nuk po arrin ta sigurojë këtë furnizim gjatë gjithë sezonit.
Për pasojë, ndërsa turizmi zgjeron tregun e konsumit, efekti në prodhimin bujqësor vendas mbetet i kufizuar. Rritja e kërkesës po reflektohet më shpejt në dogana sesa në fermat shqiptare./ monitor-ad
