Drejtori i Presidentit Donald Trump për çështjet legjislative pritet të largohet nga Shtëpia e Bardhë në javët e ardhshme, ka bërë të ditur për CNN një zyrtar i administratës Trump.
James Braid ka shërbyer si lidhja kryesore e presidentit mes krahut perëndimor të Shtëpisë së Bardhë dhe Capitol Hill gjatë gjithë mandatit të dytë të Trumpit. Largimi i tij nga detyra, më pak se tre muaj para zgjedhjeve afatmesme, mund të komplikojë miratimin e nismave të fundit legjislative që Shtëpia e Bardhë planifikon të çojë përpara.
Braid ka qenë një figurë kyçe në përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të bindur Kongresin, veçanërisht për të siguruar mbështetjen e ligjvënësve për pjesët më të debatueshme të agjendës legjislative të Trumpit.
Braid, 35 vjeç, kishte punuar ngushtë me senatorin e atëhershëm JD Vance, përpara se ky i fundit të zgjidhej zëvendëspresident i Trumpit. Lidhjet e tij të forta me Capitol Hill vlerësohen gjerësisht nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë si një faktor që ndihmoi Trumpin të arrinte suksese në Kongres, si miratimi i projektligjit të gjerë të presidentit për uljen e taksave, të cilin Trump e ka cilësuar si “one big beautiful bill”.
Largimi i pritshëm i Braid vjen në një kohë kur administrata Trump po përballet edhe me një tjetër largim të rëndësishëm.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha javën e kaluar se do të largohet nga detyra në fund të gushtit.
Largimi i saj, si një nga aleatet më të afërta të presidentit brenda Shtëpisë së Bardhë, shënon një ndryshim të madh në ekipin e komunikimit të presidentit.
Trump ka thënë se Leavitt do të vazhdojë të shërbejë si këshilltare e jashtme.
Dy largimet e rëndësishme vijnë në një moment sfidues për Trumpin, i cili po përballet me nivele të ulëta të mbështetjes publike, mes luftës së vazhdueshme me Iranin dhe çmimeve të larta të karburanteve. Shumica e amerikanëve thonë se ai nuk i ka kushtuar vëmendje të mjaftueshme problemeve më të rëndësishme të vendit./ad
