Mijëra studentë dolën sot në rrugët e Vjenës, duke kërkuar rritjen e financimit për universitetet publike në Austri.
Protesta vjen pas miratimit të buxhetit qeveritar, i cili parashikon mbajtjen të pandryshuar të fondeve për arsimin e lartë gjatë periudhës 2028–2030.
Buxheti i miratuar nga qeveria austriake, e përbërë nga Partia Popullore Austriake (ÖVP), Partia Socialdemokrate (SPÖ) dhe partia liberale NEOS, parashikon 16 miliardë euro për 23 universitetet publike të vendit gjatë kësaj periudhe.
Megjithatë, universitetet kërkojnë që financimi të rritet në 18 miliardë euro, për të kompensuar efektet e inflacionit dhe për të përballuar kostot në rritje.
Sipas tyre, fondet e parashikuara nga qeveria nuk janë të mjaftueshme për të garantuar vazhdimësinë dhe cilësinë e shërbimeve universitare.
Përfaqësuesit e universiteteve kanë paralajmëruar se mungesa e fondeve shtesë mund të sjellë shkurtime në mësimdhënie, kërkimin shkencor dhe shërbimet mjekësore të ofruara nga spitalet universitare.
Pasojat pritet të ndihen veçanërisht nga studiuesit e rinj, të cilët shpesh punojnë me kontrata me afat të kufizuar.
Shkurtimet e mundshme mund të kufizojnë mundësitë e tyre për punësim dhe zhvillim profesional, si dhe të dëmtojnë kapacitetet kërkimore të universiteteve.
Protesta në Vjenë pasqyron shqetësimin në rritje të studentëve dhe institucioneve akademike për financimin e arsimit të lartë.
Universitetet këmbëngulin se rritja e buxhetit është e nevojshme për të ruajtur cilësinë e mësimdhënies, për të mbështetur kërkimin shkencor dhe për të garantuar funksionimin e shërbimeve mjekësore universitare./mxh
