Europa humbi pjesërisht mundësinë për të përfituar nga revolucioni i parë dixhital dhe nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim me inteligjencën artificiale (AI), deklaroi presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde.
Duke folur në Këshillin Ndërkombëtar të Biznesit të Forumit Ekonomik Botëror në Gjenevë, Lagarde tha se Europa ka potencial të konkurrojë me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, por duhet të përfundojë tregun e përbashkët dhe të integrojë më mirë tregjet e kapitalit.
“Europa në masë të madhe humbi mundësinë për të përfituar nga revolucioni i parë dixhital. Nuk mund të përballojmë ta përsërisim këtë përvojë me inteligjencën artificiale, revolucionin e dytë dixhital”, tha ajo.
Sipas Lagardes, një nga problemet kryesore të Europës është mungesa e aksesit të mjaftueshëm në kapital. Kompanitë europiane mbështeten kryesisht te kreditë bankare, ndërsa tregjet e kapitalit mbeten të fragmentuara nga një shtet në tjetrin.
Kjo situatë krijon kosto dhe vonesa për kompanitë që duan të zgjerohen në vende të tjera të BE-së. Sipas Lagardes, një kompani europiane përballet me më shumë pengesa për t’u rritur sesa një kompani amerikane dhe në disa raste detyrohet të kërkojë financim jashtë Bashkimit Europian.
“Shkalla është veçanërisht e rëndësishme pasi teknologjitë e reja po ndryshojnë burimet e rritjes së produktivitetit”, tha Lagarde.
Megjithatë, ajo theksoi se Europa ka kapacitetin për të përfituar nga teknologjitë e reja dhe se ka shenja pozitive për investimet në inteligjencën artificiale.
“BE-ja përfaqëson rreth 6% të popullsisë së botës, por ka deri në 15% të kërkuesve të saj. Gjithashtu, ajo prodhon pothuajse një të pestën e publikimeve shkencore më të cituara në botë”, tha presidentja e BQE-së.
Lagarde shtoi se kompanitë e eurozonës pritet të investojnë mesatarisht rreth 9% të investimeve të tyre totale në inteligjencën artificiale gjatë këtij viti. Sipas saj, sfida kryesore është kthimi i këtij potenciali shkencor dhe teknologjik në sukses ekonomik dhe në përdorim më të gjerë të AI-së në të gjithë ekonominë europiane.
Lagarde kërkoi gjithashtu përshpejtimin e reformave që po diskutohen në Bruksel, veçanërisht Bashkimin e Kursimeve dhe Investimeve dhe nismat për integrimin e tregut të përbashkët. Bashkimi i Kursimeve dhe Investimeve synon të krijojë tregje kapitali më të integruara në Europë, duke u dhënë kompanive më shumë mundësi për financim dhe investime.
Ndërkohë, iniciativa “EU Inc.” synon të krijojë një strukturë të përbashkët europiane për kompanitë, e cila do ta bëjë më të lehtë dhe më të lirë krijimin, zgjerimin dhe operimin e bizneseve në vende të ndryshme të BE-së./mxh
