Tre fëmijët e Robin Williams kanë vendosur të rikthejnë llogarinë e tij në Instagram, në një mënyrë të veçantë për të nderuar kujtimin e aktorit të ndjerë.
Këtë javë, Zak, 43 vjeç, Zelda, 37 vjeç dhe Cody, 34 vjeç, publikuan një postim të rrallë në llogarinë e tij, e cila kishte qëndruar e heshtur për vite me radhë. Ata shkruan se dëshirojnë ta shndërrojnë atë në një hapësirë “të sigurt dhe të besueshme”, ku mund të ndajnë histori dhe kujtime për babanë e tyre.
“Ndërsa kujtojmë atë që do të ishte viti i 75-të i babait tonë, jemi mirënjohës që shohim breza të rinj duke zbuluar punën e tij, ndërsa fansat e vjetër vazhdojnë të festojnë gëzimin që ai solli në jetën e tyre”, nis deklarata e tyre.
“Ndërsa teknologjia evoluon, duam që kjo të jetë një hapësirë e sigurt dhe e besueshme, ku historitë, fotografitë, videot dhe kujtimet e ndara të pasqyrojnë trashëgiminë e tij me autenticitet, ngrohtësi dhe kujdes.”
Zak, Zelda dhe Cody thanë gjithashtu se duan të përdorin rrjetet sociale për të ndarë me publikun jetën dhe karrierën e jashtëzakonshme të fituesit të çmimit Oskar.
“Ky është mënyra jonë për të ndarë me botën talentin dhe humorin e tij unik, përfshirë momentet që na bënë ne dhe kaq shumë prej jush të qeshnim, ndërsa kujtojmë jetën dhe punën e jashtëzakonshme të babait tonë. Ai vazhdon të na frymëzojë dhe të sjellë gëzim te njerëzit në të gjithë botën.”
Përpara këtij postimi, publikimi i fundit në llogarinë e Robin Williams ishte bërë më 31 korrik 2014, kur aktori uroi vajzën e tij për ditëlindje.
Krahas një fotografie të vjetër të të dyve, ai kishte shkruar: “Gëzuar ditëlindjen, zonjusha Zelda Rae Williams! Sot mbush një çerek shekulli, por do të jesh gjithmonë vajza ime e vogël. Gëzuar ditëlindjen, Zelda. Të dua!”
Robin Williams ndërroi jetë më 11 gusht 2014, në moshën 63-vjeçare. Vdekja e tij u cilësua si vetëvrasje.
Ai kishte dy fëmijë, Zelda dhe Cody, me ish-bashkëshorten Marsha Garces Williams, ndërsa Zak ishte djali i tij nga martesa e mëparshme me Valerie Velardi.
Rikthimi i llogarisë në Instagram vjen gjithashtu rreth një vit pasi Zelda u kërkoi fansave të të atit të ndalonin së dërguari materiale të krijuara me inteligjencë artificiale që imitonin Robin Williams.
Në tetor, ajo u shpreh në rrjetet sociale se, nëse njerëzit po e bënin këtë për ta provokuar, ajo mund ta bllokonte dhe të vazhdonte jetën, por u kërkoi atyre që të ndalonin.
“Të shohësh trashëgiminë e njerëzve të vërtetë të reduktohet në ‘ngjan dhe tingëllon pak si ata, ndaj mjafton’, vetëm që të tjerët të prodhojnë video të tmerrshme duke i manipuluar, është jashtëzakonisht irrituese”, shkroi ajo.
Tani, përmes llogarisë së babait të tyre, tre fëmijët duan që kujtimi i Robin Williams të vazhdojë të jetojë përmes historive, fotografive dhe momenteve që pasqyrojnë njeriun dhe artistin që ai ishte./mxh
