Televizioni shtetëror hungarez ka rikthyer të enjten, më 20 gusht, transmetimin e edicioneve informative, pas më shumë se një muaji ndërprerje, në kuadër të një reforme të gjerë të medias publike.
Kanali kryesor M1 nisi transmetimin e parë informativ në orën 06:00, në ditën e festës kombëtare të Hungarisë. Edicioni u hap me raportime për inaugurimin e presidentit të ri, Andras Baka.
Transmetimet informative ishin pezulluar më 7 korrik, në nisje të procesit të ristrukturimit të medias publike. Gjatë kësaj periudhe, në ekran shfaqej një mesazh ku thuhej se media publike nuk mund të gënjejë dhe kërkohej ndjesë për dështimet e së kaluarës.
Në mesazh theksohej gjithashtu se media publike po riorganizohej me synimin për të qenë “e pavarur dhe e besueshme” në të ardhmen.
Reforma vjen pas kritikave të vazhdueshme ndaj televizionit publik hungarez për mungesë pavarësie dhe njëanshmëri gjatë viteve të qeverisjes së Viktor Orban.
Me rikthimin e edicioneve informative, autoritetet hungareze synojnë të hapin një kapitull të ri për median publike, duke premtuar standarde më të larta të pavarësisë dhe besueshmërisë në informim./mxh
