Vizita e Madonna në Greqi dhe festa e saj e ditëlindjes në Korfuz kanë kaluar nga faqet e showbiz-it në debatin politik, duke shkaktuar një përplasje të fortë mes deputetes së SYRIZA-s, Elena Akrita, dhe ministrit grek të Shëndetësisë, Adonis Georgiadis.
Shkak u bë një informacion i publikuar nga mediat greke, sipas të cilit banorëve të fshatit Kouramades në Korfuz u ishte kërkuar të mbyllnin dritaret e shtëpive gjatë mbërritjes së yllit amerikan, me qëllim mbrojtjen e privatësisë së saj. Sipas gazetës “Proto Thema”, Madonna mbërriti në fshat me automjete të zeza dhe eskortë, ndërsa dy rrugë u mbyllën për ardhjen e saj.
Një banor tha për median greke se njerëzve iu kërkua të mbanin të mbyllura dritaret, ndërsa në zonë kishte edhe prani policore. Këto raportime shkaktuan reagimin e deputetes Elena Akrita.
“Nëse kjo është e vërtetë, çështja nuk është nëse Madonna e kërkoi. Çështja është nëse banorët iu bindën”, shkroi ajo në Facebook.
Akrita përdori më pas një gjuhë edhe më të ashpër, duke theksuar se Greqia “nuk është një plantacion i Jugut ku përkulemi për të mbledhur pambuk, në mënyrë që të mos ia prishim ditëlindjen zonjës”.
Deklarata solli menjëherë reagimin e ministrit të Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, i cili e akuzoi deputeten se nuk kupton rëndësinë që ka për turizmin grek vizita e një prej yjeve më të njohura në botë.
Sipas tij, prania e Madonna-s në Greqi, fotografitë dhe postimet e saj në rrjetet sociale i kanë ofruar vendit “reklamë falas me vlerë miliona euro”.
Georgiadis argumentoi se një ekspozim i tillë ndërkombëtar ndihmon drejtpërdrejt industrinë turistike dhe mijëra njerëz që punojnë në të, duke akuzuar Akritën se “gjeti edhe këtu një arsye për t’u ankuar dhe për të parë gjithçka me pesimizëm”.
Përplasja vazhdoi gjatë së shtunës edhe me replika personale mes dy politikanëve grekë, duke e kthyer festën e Madonna-s në një debat shumë më të gjerë mbi turizmin, privilegjet e personazheve të famshëm dhe kufijtë mes promovimit të vendit dhe të drejtave të banorëve.
Madonna festoi 68-vjetorin më 16 gusht në Kouramades të Korfuzit, së bashku me partnerin e saj, Akeem Morris, fëmijët dhe miqtë. Ajo zgjodhi një lokal tradicional, ku pati muzikë greke, ushqime vendase dhe madje edhe thyerje pjatash.
Më pas, këngëtarja publikoi në rrjetet sociale foto dhe video nga pushimet dhe festa e saj në Greqi, duke promovuar Korfuzin te miliona ndjekës të saj në mbarë botën.
Ndër personazhet e famshëm që zgjodhën Greqinë për pushimet e verës 2026 janë, përveç Madonna-s, edhe Justin dhe Hailey Bieber, Sofia Vergara, Matthew McConaughey, Nicole Kidman, Katy Perry, Kate Hudson, Goldie Hawn, Kurt Russell, Rita Ora, Michael Jordan, Kevin Hart dhe Ludacris./ad
