Përpara se të nisni leximin e këtij teksti, shikojini këto fotografi. Tregojnë protestsa për ujë të banorëve në zona të ndryshme rurale të Shqipërisë.
Kërkojnë UJË!
Ujë për të pirë dhe ujë për të ujitur tokat.
Protestohet për ujë në një vend si Shqipëria:
-Ku ka mesatarisht nga 9,000 – 13,000 metra kub ujë për frymë në vit. Teorikisht i treti në Europë për këtë pasuri.
-Ku ka 152 lumej e përrenj.
-Ku ka 8 lumenj të mëdhenj që e përshkojnë Lindje-Perëndim të gjithë territorin e vendit.
-Ku ka 247 liqene natyrore.
-Ku ka 626 liqene/ujembledhës artificialë, me kapacitet 560 milion metër kub ujë. Vetëm për qëllime bujqësore.
-Ku 180 000 ha tokë bujqësore ujiteshin nga ujëmbledhësat dhe 240 000 ha nga lumenjtë dhe përrenjtë.
Po përse nuk kanë ujë shqiptarët?
Për 35 vjet, bujqësia dhe ujërat kanë pësuar regresin më dramatik që mund të pësojë një vend në kohë paqeje.
Infrastruktura ujitëse u shkatërrua. Digat/ujëmbledhësat degraduan nga koha dhe mos mirëmbajtja dhe kapaciteti i tyre ujëmbajtës është përgjysmuar. Toka e ujitshme sot është më pak se 50 % të asaj që ishte në 1990.
Me gjithë këtë pasuri ujore, qytetet vazhdojnë të furnizohen me orar të reduktuar dhe pallatet lëngojnë nën peshën e depozitave. Përveç Tiranës, askund nuk është shënuar një investim domethënës, në ndërtimin e një vepre të re ujëmblëdhëse apo rrjeti transmetimi ujor. Italia është gati të marrë ujin në kanalin e Çukës në Sarandë, ndërsa vetë Saranda thahet për ujë, sepse ne nuk e dërgojmë dot ujin deri në qytet.
Në pjesën dërrmuese të fshatrave nuk ka rrjet. Uji sigurohet vetëm nga puset, ose(ne zonat malore) nga linja tubash plastike që kanë ndërtuar secili, edhe disa km të gjata.
Në çdo fshat, fushor e kodrinor, çdo familje ka 1-2 puse. Rezerva nëntokësore po shfrytëzohet në mënyrë barbare. Toka nuk është në depozitë e pashtershme. Brenda 30 vitesh shpimet për ujë shkojnë në thellësi 50 deri 150 metra tashmë dhe bëhen vetëm me sonda gjeologjike. Atu ku nuk ka as ujëra nëntokësore, banorë thjeshtë vuajnë.
Po shfrytëzojmë një rezerve të krijuar mijëra vjet më parë dhe teorikisht e praktikisht e pa rikuperueshme më, ndërsa në sipërfaqe kemi miliona metër kub ujë.
Ndër zona malore e kodrinore, përrenj e lumenj të vegjël janë futur në tuba për të vënë në punë HEC-e të vegjël, pa asnjë ndikim në ekonomikë kombëtare, por me pasoja dramatike për jetën e banorëve lokalë dhe mjedisin natyror.
Si qënie politike modeste, banorët që sot po ngrejnë zërin, kanë qenë thjeshtë numër votash. Injoranca, pamundësia e organizimit dhe një politikë djallëzore, i ka bërë ata kafshatën më të lehtë të makinerisë së mashtrimit dhe nënshtrimit politik. Fadroma e tuba, që dërgoheshin nëpër fshatra një javë para zgjedhjeve e që largoheshin dy ditë pas zgjedhjeve.
Sot, në shumë zona fshatarët po reagojnë. Nuk mendoj se janë ndërgjegjësuar, thjeshtë etja u ka shkuar në palcë.
Asnjë qeveri nuk ka menduar të shikojë përtej nje mandati apo një dekade. Askush nuk ka menduar se cila do të jetë e ardhmja e këtij vendi pas 30 apo 50 vjetësh.
