Last Updated on 23/08/2026 by Monika
Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer deklaratat e tij për të ardhmen e Ngushticës së Hormuzit, duke publikuar në platformën Truth Social një hartë ku kjo rrugë strategjike detare paraqitet si “territor i ri amerikan”.
Trump e kishte publikuar të njëjtën hartë edhe më 18 gusht, ndërsa më 15 gusht kishte hedhur për herë të parë idenë që Ngushtica e Hormuzit të trajtohej si territor amerikan. Gjatë një tubimi në Nju Jork, ai deklaroi se, pas përfundimit të luftës dhe “mposhtjes së Iranit”, do të shpallte së shpejti se Ngushtica e Hormuzit do t’i përkiste Shteteve të Bashkuara.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë. Para shpërthimit të luftës, rreth një e pesta e eksporteve globale të naftës së papërpunuar dhe gazit natyror të lëngshëm kalonin përmes saj.
Ndërsa Irani pretendon se ka vendosur kontrollin mbi ngushticën, Trump këmbëngul se janë Shtetet e Bashkuara ato që e “kontrollojnë plotësisht” këtë kalim. Teherani e ka mbajtur të mbyllur ngushticën që nga fillimi i luftës dhe përplasjet me Uashingtonin vazhdojnë lidhur me kushtet për rihapjen e saj.
Mohsen Rezaei, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, deklaroi të shtunën se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa SHBA të përmbushë angazhimet e saj dhe të ndryshojë atë që ai e cilësoi si “sjelljen” e saj.
“Ngushtica e Hormuzit është e mbyllur, pavarësisht pretendimeve amerikane, dhe nuk do të hapet derisa Amerika të korrigjojë sjelljen e saj. Këtë herë, Amerika duhet së pari të respektojë angazhimet e saj”, deklaroi Rezaei për televizionin shtetëror iranian.
Ai paralajmëroi gjithashtu vendet që mund t’i bashkohen masave ekonomike të SHBA-së kundër Teheranit. Sipas tij, çdo shtet që merr pjesë në vendosjen e kufizimeve ekonomike ndaj Iranit do të konsiderohet “armik”.
Rezaei shtoi se Irani deri më tani ka përdorur vetëm një pjesë të kapaciteteve të tij dhe se sulmet e kryera kanë pasur në shënjestër bazat ushtarake amerikane. Ai paralajmëroi se një përshkallëzim i masave ekonomike kundër Iranit mund të çojë në goditje ndaj interesave ekonomike amerikane dhe kompanive të naftës në rajon.
Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, iu përgjigj deklaratave të Trump duke thënë se “iluzionet e tij për Ngushticën e Hormuzit do të korrigjohen së shpejti”.
Teherani dhe Uashingtoni kishin nënshkruar në qershor një memorandum mirëkuptimi me synim përfundimin e luftës dhe hapjen e rrugës për një marrëveshje më të gjerë. Megjithatë, procesi ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi zbatimin e marrëveshjes dhe rregullimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Bisedimet mes Iranit dhe Sulltanatit të Omanit për rregullimin e trafikut në këtë rrugë jetike detare kanë vazhduar, por deri tani nuk kanë prodhuar një marrëveshje vendimtare.
