Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, ndërsa autoritetet në enklavën spanjolle të Ceutës vazhdojnë të përballen me pasojat e mbërritjes masive të dhjetëra mijëra emigrantëve nga Maroku.
Mbledhja do të zhvillohet në Pallatin Moncloa, përpara takimit të parë të kabinetit qeveritar pas pushimeve verore, me qëllim vlerësimin e situatës dhe koordinimin e përgjigjes së qeverisë.
Ceuta, enklava spanjolle në bregun e Afrikës së Veriut, në kufi me Marokun, është përballur me presion të jashtëzakonshëm që prej 30 dhe 31 korrikut, kur dhjetëra mijëra persona kaluan kufirin.
Ministria e Brendshme spanjolle kishte deklaruar më herët se numri i të mbërriturve ishte rreth 72 mijë, prej të cilëve rreth 70 mijë u kthyen më pas në Marok. Por përfaqësuesi i qeverisë spanjolle në Ceuta, Miguel Ángel Pérez Triano, deklaroi të hënën se përmes kufirit të Tarajalit kishin hyrë më shumë se 80 mijë persona.
Sipas tij, 25 ditë pas nisjes së krizës, qyteti është ende “shumë larg” rikthimit në normalitet. Autoritetet kanë hapur struktura shtesë për strehimin dhe asistencën e personave që ndodhen ende në Ceuta, por kapacitetet vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme.
Ndërkohë, Spanja po përgatitet të dërgojë deri në 25 mijë doza vaksinash në Ceuta, sipas një marrëveshjeje të Komisionit të Shëndetit Publik.
Partia opozitare Popullore ka shtuar presionin ndaj qeverisë, duke kërkuar dërgimin e më shumë personelit të emigracionit në Ceuta për të përshpejtuar procedurat e kthimit të emigrantëve.
Zëdhënësi i Partisë Popullore, Borja Sémper, deklaroi se duhet të mobilizohen të gjitha njësitë e nevojshme dhe të punohet në tre turne për të përpunuar sa më shpejt rastet e personave që vazhdojnë të qëndrojnë në qytet.
Ndërkohë, ish-ministri i Jashtëm i Spanjës dhe ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, e ka cilësuar reagimin e Evropës ndaj krizës në Ceuta si “histerik, joproporcional dhe absurd”.
Borrell akuzoi vendet e Bashkimit Evropian për mungesë solidariteti me Spanjën dhe hodhi poshtë pretendimet se politikat e emigracionit të Madridit kanë qenë shkaku i krizës.
“Solidariteti evropian është zhdukur. Ligjet duhet të zbatohen”, deklaroi ai, duke theksuar se BE-ja duhet të forcojë kufijtë e saj të jashtëm, por njëkohësisht të respektojë të drejtat e të miturve dhe të personave që mund të përfitojnë azil.
Sipas raportimeve, 22 vende të BE-së kanë kritikuar politikat e migracionit të Spanjës, duke argumentuar se masat e ndërmarra nga Madridi, përfshirë rregullimin e statusit të emigrantëve pa dokumente, mund të kenë vepruar si një “faktor tërheqës”.
Kriza në Ceuta ka rikthyer kështu në qendër të debatit përplasjen mes vendeve anëtare mbi menaxhimin e emigracionit dhe solidaritetin brenda Bashkimit Evropian.
