Last Updated on 27/08/2026 by Monika
Ministrja shqiptare e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, është përzgjedhur mes 100 grave më me ndikim në onkologji në botë për vitin 2026, në një listë prestigjioze të publikuar nga OncoDaily. Emri i saj është ndër 10 gratë e para të prezantuara këtë vit, përkrah disa prej figurave më të njohura të onkologjisë, kërkimit shkencor dhe politikave shëndetësore në nivel ndërkombëtar.
Nisma “100 Influential Women in Oncology” është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme të OncoDaily. Ajo nisi më 26 gusht 2023, në Ditën e Barazisë së Grave në Shtetet e Bashkuara, me synimin për të vlerësuar gratë që po japin kontribut të rëndësishëm në luftën kundër kancerit në vende të ndryshme të botës.
Për vitin 2026, OncoDaily ka nisur publikimin e listës me 10 emra çdo javë. Në grupin e parë, përveç Evis Salës, janë përfshirë Karen Knudsen, Fatima Maada Bio, Elizabeth Mittendorf, Yelena Janjigian, Lacy Hubbard, Cesaltina Ferreira Lorenzoni, Clarissa Mathias, Hedvig Hricak dhe Beatrice Wiafe-Addai.

Në profilin kushtuar saj, OncoDaily e prezanton Evis Salën, MD, PhD, FRCR, FRCP, si Ministre të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Shqipërisë, duke vënë theksin te roli i saj në vendosjen e onkologjisë në qendër të reformave shëndetësore në vend.
Sipas publikimit, gjatë drejtimit të saj në shëndetësi janë avancuar disa iniciativa që lidhen drejtpërdrejt me organizimin dhe forcimin e kujdesit ndaj pacientëve me kancer. Ndër to përmenden krijimi i Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit, vendosja e protokolleve të standardizuara për trajtimin e sëmundjeve tumorale, zgjerimi i kapaciteteve rajonale për kimioterapi dhe radioterapi, si dhe rritja e financimit për barnat antikancerogjene.
Në fokus të punës së saj, sipas OncoDaily, është edhe parandalimi. Publikimi evidenton forcimin e programeve të depistimit për kancerin e qafës së mitrës dhe masat për parandalimin e infeksionit HPV.
Evis Sala ka gjithashtu një profil të rëndësishëm akademik ndërkombëtar. Ajo është profesoreshë e Radiologjisë në Università Cattolica del Sacro Cuore në Romë dhe më parë ka drejtuar Departamentin e Imazherisë Diagnostike dhe Radioterapisë në Fondazione Policlinico Universitario Agostino Gemelli IRCC.
Karen Knudsen, shkencëtarja që drejton luftën globale për imunoterapinë

Mes emrave të parë të listës është Karen E. Knudsen, MBA, PhD, një prej figurave të njohura të kërkimit shkencor dhe drejtimit të institucioneve të mëdha të kancerit.
Knudsen është CEO dhe anëtare e Bordit të Parker Institute for Cancer Immunotherapy, ku fokusohet në përshpejtimin e kalimit të zbulimeve të reja në imunoterapi drejt trajtimeve konkrete për pacientët.
Më parë ajo drejtoi American Cancer Society dhe American Cancer Society Cancer Action Network, duke u bërë gruaja e parë në krye të këtyre organizatave. Ajo ka drejtuar gjithashtu Sidney Kimmel Cancer Center në Jefferson Health dhe ka mbikëqyrur shërbimet onkologjike në të gjithë sistemin shëndetësor.
Fatima Maada Bio, zëri i grave afrikane në luftën kundër kancerit

Fatima Maada Bio, Zonja e Parë e Sierra Leones dhe Presidente e Organisation of African First Ladies for Development për periudhën 2025–2027, është përfshirë në listë për angazhimin e saj në shëndetin e grave dhe parandalimin e kancerit.
Ajo ka përdorur platformën e saj për të rritur ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm. Në Sierra Leone, bashkëpunimi me Merck Foundation ka mbështetur trajnimin e specialistëve dhe zhvillimin e fuqisë punëtore në kujdesin ndaj kancerit, përfshirë bursa që kanë kontribuar në formimin e onkologëve të parë të trajnuar në vend.
Ajo ka sjellë gjithashtu perspektivën afrikane në iniciativat globale për kancerin e gjirit, përfshirë WHO Global Breast Cancer Initiative gjatë Asamblesë Botërore të Shëndetësisë në vitin 2026.
Elizabeth Mittendorf, në krye të ASCO

Elizabeth A. Mittendorf, MD, PhD, MHCM, FASCO, është kirurge onkologjike e specializuar në kancerin e gjirit dhe Presidente e American Society of Clinical Oncology (ASCO) për periudhën 2026–2027.
Ajo shërben si Shefe e Onkologjisë Multidisiplinare në Dana-Farber Cancer Institute dhe bashkëdrejton programet kërkimore dhe klinike të lidhura me imunoterapinë dhe kancerin e gjirit.
Karriera e saj përfshin edhe shërbimin si kirurge në Forcat Ajrore të SHBA-së. Në ASCO ka mbajtur më parë role të rëndësishme drejtuese, përfshirë anëtare të Bordit të Drejtorëve dhe Thesarare të Shoqatës.
Yelena Janjigian, një nga emrat kryesorë të onkologjisë gastrointestinale

Yelena Y. Janjigian, MD, është ndër figurat më të njohura ndërkombëtarisht në trajtimin e kancerit të stomakut dhe ezofagut.
Ajo është Shefe e Shërbimit të Onkologjisë Gastrointestinale në Memorial Sloan Kettering Cancer Center dhe drejton Gastroesophageal Cancer Therapeutics Accelerator.
Puna e saj në studimet klinike ka ndikuar në ndryshimin e trajtimeve të linjës së parë për kanceret e traktit të sipërm gastrointestinal. Ndikimi i saj shtrihet edhe në organizatat më të rëndësishme profesionale të onkologjisë, përfshirë ASCO, AACR dhe ESMO.
Lacy Hubbard, nga radioterapia te kujdesi për gratë në vendet me të ardhura të ulëta

Lacy Hubbard, MBA, Presidente dhe CEO e Elekta Foundation, është një tjetër nga emrat e përzgjedhur.
Me më shumë se dy dekada përvojë në industrinë e radioterapisë, ajo ka kontribuar në zhvillimin e modeleve të kujdesit ndaj kancerit që mund të zbatohen në shkallë të gjerë në vendet me burime të kufizuara.
Një prej projekteve të rëndësishme është modeli FAST për depistimin e kancerit të qafës së mitrës në Ruandë, përmes të cilit janë depistuar më shumë se 180 mijë gra. Ajo ka drejtuar gjithashtu zhvillimin e një modeli të integruar për depistimin e kancerit të gjirit, që ka arritur te afro 150 mijë gra.
Cesaltina Ferreira Lorenzoni, forcimi i luftës kundër kancerit në Mozambik

Cesaltina Ferreira Lorenzoni, MD, PhD, patologe dhe epidemiologe e kancerit nga Mozambiku, është Presidente e African Organisation for Research and Training in Cancer (AORTIC) për periudhën 2025–2027.
Ajo drejton gjithashtu Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit në Mozambik dhe është angazhuar në forcimin e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës, regjistrave të kancerit, trajnimit të profesionistëve dhe kërkimit shkencor.
Puna e saj është përqendruar në krijimin e sistemeve të qëndrueshme të kontrollit të kancerit, të përshtatura me realitetin e vendeve me burime të kufizuara. Në vitin 2022 ajo mori IGCS Award for Community Advancement in Resource-Limited Settings.
Clarissa Mathias, një nga lideret e onkologjisë torakale në Brazil

Clarissa Mathias, MD, PhD, MBA, FASCO, është onkologe mjekësore braziliane dhe figurë e njohur në onkologjinë torakale dhe kujdesin global ndaj kancerit.
Ajo ka qenë Presidente e Brazilian Society of Clinical Oncology dhe e Brazilian Thoracic Oncology Group. Mathias u bë gruaja e parë braziliane e emëruar Fellow e ASCO-së dhe ka shërbyer në Bordin e Drejtorëve të kësaj organizate, si dhe në krye të Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Në vitin 2025 ajo u nderua me SBOC Award for Women’s Leadership in Oncology për kontributin e saj në kërkimin shkencor, edukimin mjekësor, aksesin e barabartë në kujdes dhe fuqizimin e grave në onkologji.
Hedvig Hricak, një karrierë e gjatë në radiologjinë onkologjike

Hedvig Hricak është radiologe e specializuar në kanceret gjenitourinare dhe gjinekologjike.
Ajo drejtoi Departamentin e Radiologjisë në Memorial Sloan Kettering Cancer Center nga viti 1999 deri në 2023 dhe mbajti titullin Carroll and Milton Petrie Chair deri në pensionimin e saj në vitin 2025.
Kontributi i saj nuk është kufizuar vetëm në punën klinike dhe akademike. Hricak ka marrë pjesë në përpjekjet globale për forcimin e kapaciteteve të imazherisë mjekësore në sistemet shëndetësore që kanë më pak burime. Në vitin 2026 ajo mori edhe American College of Radiology Gold Medal, ndërsa një vit më parë ishte nderuar me Distinguished Global Oncology Leader Award.
Beatrice Wiafe-Addai, lufta kundër kancerit të gjirit në Ganë

Lista e parë mbyllet me Beatrice Wiafe-Addai, MD, PhD, kirurge ganeze e specializuar në kancerin e gjirit dhe një prej zërave më të rëndësishëm të advokimit për pacientët në Afrikë.
Ajo është themeluese dhe Presidente e Breast Care International, organizatë që punon për ndërgjegjësimin, depistimin, mbështetjen gjatë trajtimit dhe kujdesin për të mbijetuarat e kancerit të gjirit.
Wiafe-Addai njihet si gruaja e parë specialiste në kirurgjinë e përgjithshme në Ganë. Ajo ka themeluar gjithashtu Peace and Love Hospitals dhe ka shërbyer më parë si Presidente e AORTIC.
Një prej arritjeve më të rëndësishme të punës së saj është krijimi i një rrjeti prej më shumë se 900 të mbijetuarash nga kanceri i gjirit, ndërsa vijon të advokojë për forcimin e infrastrukturës së kujdesit ndaj kancerit në Ganë, përfshirë zhvillimin e Otumfuo Osei Tutu II Comprehensive Cancer Centre of Excellence.
OncoDaily thekson se lista nuk synon të përfaqësojë të gjitha gratë që kanë dhënë kontribut në onkologji, duke nënvizuar se shumë profesioniste vazhdojnë të punojnë larg vëmendjes publike. Për këtë arsye, iniciativa do të vijojë gjatë javëve në vazhdim, me prezantimin e emrave të tjerë që do t’i bashkohen listës së 100 Grave më me ndikim në Onkologji për vitin 2026./mxh
