Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka bërë një reagim në lidhje me reformën territoriale. Vata shkruan se ditën e sotme, Këshilli Bashkiak i Bashkisë Klos përballet me përgjegjësi të veçantë pasi voton opinionin që do t’i dërgojë Kuvendit në lidhje me shkrirjen e bashkisë.
Demokratja shprehet se Këshilli Bashkiak nuk ka kompetencë të ndryshojë vetë kufijtë e bashkisë, por ka detyrimin të japë mendim zyrtar.
Në reagimin e saj, deputetja është ndalur dhe te firmat e qytetarëve të Klosit, firma për të cilat Vata shprehet se janë një pjesë e rëndësishme dhe duhet të jenë pjesë e dosjes që do t’i dërgohet Kuvendit.
Reagimi i deputetes
Sqarim i rëndësishëm.
NESËR KLOSI NUK VOTON PËR TË EKZISTUAR APO JO SI BASHKI. VOTON PËR OPINIONIN QË DO T’I DËRGOJË KUVENDIT!
Nesër Këshilli Bashkiak i Klosit përballet me një përgjegjësi të veçantë.
Ndërkohë prej Klosit në drejtim të Kuvendit do të shkojnë mendimi i mijëra qytetarëve dhe mendimi politik i Këshillit të Bashkisë, i cili nuk ka vlerë kushtetuese pasi nuk shpreh domosdoshmërisht pëlqimin e banorëve.?
Nga ana tjetër
Mijera firma te banorëve kanë firmosur kundër shkrirjes së Bashkisë Klos.
Por çfarë thotë ligji?
Së pari, një sqarim shumë i rëndësishëm: Këshilli Bashkiak i Klosit nuk ka kompetencë të ndryshojë vetë kufijtë e Bashkisë. Sipas neneve 89 dhe 90 të Ligjit nr. 139/2015, Këshilli ka detyrimin të japë mendimin zyrtar për riorganizimin, ndërsa ndryshimi i ndarjes administrativo-territoriale bëhet me ligj të veçantë nga Kuvendi i Shqipërisë.
Pra, vota e nesërme nuk është fundi i procesit. Por ajo do të jetë një dëshmi shumë e rëndësishme se çfarë mendon vetë përfaqësimi politik i Klosit për të ardhmen e komunitetit që përfaqëson.
Dhe këtu qëndron përgjegjësia e këshilltarëve.
Kushtetuta, në nenin 108, është e prerë: kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to.
Ligji 139/2015 shkon edhe më tej: kur propozohet riorganizimi i bashkive, Kuvendit duhet t’i paraqitet edhe mendimi i popullatës së njësive që preken nga ndryshimi.
Prandaj, firmat e qytetarëve të Klosit nuk janë vetëm një protestë.
Ato janë një pjesë e rëndësishme e mendimit të popullsisë që ligji kërkon të merret në konsideratë.
Dhe ka edhe një kërkesë tjetër të ligjshme.
VOTIMI I FSHEHTË
Neni 55 i Ligjit 139/2015 parashikon se votimi në këshill mund të jetë i hapur ose i fshehtë dhe se, me kërkesën e të paktën 1/3 së këshilltarëve, këshilli vendos që votimi të bëhet i fshehtë. Përjashtim bëjnë buxheti dhe aktet financiare.
Prandaj, nëse një numër i mjaftueshëm këshilltarësh e kërkon, duhet të respektohet procedura ligjore për votimin e fshehtë.
Jo sepse dikush duhet të fshihet nga qytetarët, por sepse këshilltari duhet të jetë i lirë të votojë sipas bindjes dhe përgjegjësisë së tij, pa presione politike apo administrative.
NJË KËRKESË PËR KËSHILLTARËT
Mos harroni se ligji parashikon që këshillat bashkiakë të prekur drejtpërdrejt nga riorganizimi duhet të japin mendimin e tyre zyrtar dhe të pasqyrojnë edhe mendimin kundër të një pjese të këshilltarëve, nëse ekziston.
Prandaj:
Firmat duhet të futen në dosje.
Mendimi i qytetarëve duhet të pasqyrohet në procesverbal.
Argumentet kundër shkrirjes duhet të dëgjohen dhe të regjistrohen.
Mendimi kundër i këshilltarëve duhet të pasqyrohet zyrtarisht.
Dhe mbi të gjitha, këshilltarët duhet t’i përgjigjen një pyetjeje të thjeshtë:
A do të votojnë sipas bindjes së tyre dhe interesit të komunitetit që përfaqësojnë, apo sipas presionit politik që mund të ushtrohet mbi ta?
Nëse nesër shumica e këshilltarëve votojnë kundër vullnetit të shprehur publikisht nga mijëra qytetarë, kjo nuk e bën automatikisht votën e tyre të pavlefshme.
Por ajo krijon një përgjegjësi të fortë politike dhe qytetare përpara atyre që i kanë zgjedhur.
Sepse mandati i këshilltarit nuk është mandat i qeverisë.
Është mandat i qytetarëve të Klosit.
Klosi kërkon që, përpara se të fshihet nga harta si bashki, të dëgjohet realisht zëri i njerëzve që jetojnë aty./kb
