Autoritetet në Nepal kanë intensifikuar përpjekjet e shpëtimit për të liruar qindra njerëz që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar brenda tuneleve të projekteve të hidrocentraleve, përfshirë atë të Trishuli-3A, pas përmbytjeve shkatërruese të së mërkurës. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve ndërkombëtare, përfshirë ekspertë nga Kina dhe India, ende nuk ka pasur asnjë përgjigje nga personat që ndodhen brenda tuneleve.
Bilanci i kësaj katastrofe natyrore është rënduar ndjeshëm, ku autoritetet lokale konfirmojnë se numri i viktimave ka arritur në 903, ndërsa mbi 4,200 persona mbeten të zhdukur. Qindra prej të zhdukurve besohet se janë punonjës të hidrocentraleve, ndërkohë që operacionet e kërkimit po vështirësohen nga kushtet e vështira të terrenit, rrugët e bllokuara nga balta dhe reshjet e vazhdueshme.
Shtetet e huaja kanë dërguar ndihma dhe ekipe të specializuara për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa autoritetet në distriktin Chitëan kanë nisur varrosjen e trupave të paidentifikuar që kanë dalë në breg, duke ruajtur mostra ADN-je për t’i identifikuar më vonë. Familjarët e të bllokuarve kanë shprehur zhgënjim me ritmet e ngadalta të ndërhyrjes, ndërsa ekspertët po studiojnë mundësinë e lidhjes së katastrofës me ndryshimet klimatike dhe shkrirjen e akullnajave në rajon./kb
