Tajvani ka paralajmëruar se Kina po rrit kontrollin dhe praninë e saj ushtarake në hapësirën ajrore dhe ujërat përreth ishullit, ndërsa vendimmarrja e Pekinit po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme. Vlerësimi është bërë në raportin vjetor të Tajvanit për kërcënimin ushtarak nga Kina.
Sipas raportit, situata e sigurisë në rajon “vazhdon të përshkallëzohet”. Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit vëren gjithashtu një rritje të pasigurisë në vendimmarrjen e autoriteteve kineze, veçanërisht pas një fushate të gjerë spastrimesh brenda niveleve të larta të ushtrisë.
Kina e konsideron Tajvanin, i cili qeveriset në mënyrë demokratike, si pjesë të territorit të saj dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës për të vendosur kontrollin mbi ishullin.
TË LIDHURA
Tajvani, i gatshëm për bisedime me Kinën
Tajvani falënderon Trump mes debatit për 14 mld $ armë
Trump pas vizitës në Kinë: Tajvani të mos e shpallë pavarësinë
Ndërkohë, forcat kineze zhvillojnë pothuajse çdo ditë aktivitete ushtarake në hapësirën ajrore dhe ujërat përreth Tajvanit.
Taipei i kundërshton pretendimet e Pekinit për sovranitet, duke këmbëngulur se e ardhmja e ishullit duhet të përcaktohet vetëm nga populli tajvanez. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta furnizojnë Tajvanin me armë, ndërsa ruajnë politikën e tyre të “paqarta strategjike” për sa i përket një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake në rast konflikti.
Raporti, një kopje e të cilit është shqyrtuar nga Reuters, thekson se Kina po përpiqet të nxjerrë mësime nga konfliktet e fundit, përfshirë luftën në Ukrainë dhe përplasjet në Gjirin Persik.
Një prej elementeve që Pekini po studion është përdorimi i dronëve me kosto të ulët dhe sulmet në formë tufash, të cilat kanë treguar efektivitet në luftën Rusi-Ukrainë.
Në dokument përmenden edhe vështirësitë me të cilat janë përballur Shtetet e Bashkuara gjatë konfliktit SHBA-Izrael-Iran.
Sipas raportit tajvanez, Kina po analizon çështje të tilla si shpenzimi i shpejtë i municioneve, presioni mbi sistemet e mbrojtjes ajrore dhe kapacitetet industriale për prodhimin e armëve.
Raporti vlerëson gjithashtu se konflikti ka nxjerrë në pah dobësitë e mundshme në bashkëpunimin mes aleatëve, një tjetër aspekt që Kina po e merr në konsideratë gjatë planifikimit dhe stërvitjeve të saj ushtarake./mxh
