Aktori i njohur britanik Tom Hardy ka surprizuar fansat duke publikuar albumin e tij të parë rap, nën emrin artistik Frankie Pulitzer, në bashkëpunim me grupin hip-hop Czarface.
Albumi, Czarface Meets Frankie Pulitzer, përmban 15 këngë dhe bashkëpunime me emra si Method Man dhe Busta Rhymes, ndërsa përfshin edhe referenca ndaj personazhit Bane, të interpretuar nga Hardy në The Dark Knight Rises.
Dyshimet se pas Frankie Pulitzer fshihej Hardy nisën që në vitin 2021, kur Czarface filluan të publikonin materiale me reperin misterioz. Hardy ka treguar se pasioni për rap-in i ka nisur që në adoleshencë.
“Fillova të bëja rap kur isha 14 ose 15 vjeç. Duke qenë se vija nga një zonë e mirë, e klasës së mesme, ishte shumë e vështirë t’i bindja njerëzit. Dhe, për më tepër, nuk isha edhe aq i mirë!”, kishte deklaruar ai.
Në vitin 2018, ai publikoi gjithashtu një mixtape të regjistruar në vitin 1999, kur përdorte emrin “Tommy No 1”.
“Kam regjistruar jashtëzakonisht shumë materiale, por ato nuk u publikuan kurrë”, kishte rrëfyer më herët aktori.
Tashmë, pas më shumë se dy dekadash, Hardy duket se po e nxjerr më në fund në pah një tjetër pasion të tij, këtë herë në skenën e hip-hop-it./mxh
