Ish-ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Mikhail Fedorov, po kërkon investime amerikane për krijimin e një fondi të teknologjisë së mbrojtjes, që synon të financojë kompani për zhvillimin e sistemeve të reja të armatimit.
Në një intervistë për Financial Times në Uashington, Fedorov, i cili u shkarkua nga presidenti Volodymyr Zelensky muajin e kaluar, tha se është i gatshëm të ndihmojë SHBA-në të krijojë një “ushtri dronësh”, në këmbim të raketave interceptuese Patriot për Ukrainën.
“Ky nuk është saktësisht një fond klasik investimesh. Ne po shkruajmë një histori të re të luftës”, tha Fedorov, duke shtuar se fondi do të investojë në startup-e ukrainase dhe do të krijojë kompani të reja të fokusuar në teknologjitë ushtarake.
Tre prioritetet
Fondi do të përqendrohet fillimisht në tre fusha: sistemet robotike për fushën e betejës, dronët interceptues me shpejtësi të lartë dhe raketat me kosto të ulët të pajisura me inteligjencë artificiale.
Sipas Fedorov, nëse lufta zgjat edhe dy ose tre vite, këto investime mund të sjellin teknologji të reja për fushën e betejës, ndërsa investitorët do të kenë akses në përvojën e fituar nga Ukraina gjatë konfliktit.
Fedorov, 35 vjeç, ishte ministri më i ri i Mbrojtjes në historinë e Ukrainës, por qëndroi vetëm gjashtë muaj në detyrë. Ai u shkarkua mes mosmarrëveshjeve për rekrutimin dhe drejtimin e ushtrisë.
Dronë në këmbim të Patriotëve
Fedorov shprehu se do të ishte i gatshëm të ndihmonte SHBA-në në krijimin e një force të madhe dronësh, në këmbim të sistemeve Patriot.
“Do të isha shumë i lumtur të ndihmoja Amerikën të krijonte një ushtri dronësh, veçanërisht në këmbim të raketave Patriot, në mënyrë që ne të mund të mbijetojmë këtë dimër. Jam gati ta bëj këtë shkëmbim”, u shpreh ai.
Ish-ministri është konsideruar një nga figurat kryesore pas zhvillimit të industrisë së dronëve në Ukrainë. Ai ka deklaruar se gjatë kohës në detyrë u përball me rezistencë nga establishmenti ushtarak dhe politik për shkak të përpjekjeve për reformimin e sistemit të prokurimeve.
Putini kupton vetëm forcën
Fedorov argumentoi se intensifikimi i sulmeve ukrainase me rreze të gjatë ndaj Rusisë është mënyra më e mundshme për të detyruar Vladimir Putin t’i japë fund luftës.
“Na duhen më shumë dronë me motorë reaktivë, raketa të lira dhe raketa me inteligjencë artificiale. Me Putinin nuk mund të kesh dialog në asnjë mënyrë tjetër. Ai kupton vetëm forcën”, tha ish-ministri ukrainas./ad
