Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka propozuar ditën e sotme riemërtimin e Ngushticës së Hormuzit si “Ngushtica e Trumpit”, pavarësisht faktit se rruga ujore vendimtare mbetet e kontestuar për shkak të luftës me Iranin.
“Tani që e kemi nën kontrollin e SHBA-së, a duhet ta ndryshojmë emrin Ngushtica e Hormuzit në NGUSHTICËN TRUMP??? Ashtu si vetë Amerika, do të ishte ‘më e nxehtë’ se kurrë më parë!”, tha Trump në postimin e tij në “Truth Social”.
Ky është ndryshimi i fundit i emrit gjeografik të propozuar nga Trump dhe vjen një javë pasi ai urdhëroi që Liqeni Ontario të riemërtohet si “Liqeni Amerika” mes një lufte tregtare me Kanadanë.
Trump gjithashtu e riemërtoi Gjirin e Meksikës si “Gjiri i Amerikës” në ditën e tij të parë në detyrë në janar 2025. As Meksika dhe as Kanadaja nuk i kanë pranuar ndryshimet.
Trump dhe administrata e tij kanë këmbëngulur vazhdimisht se Irani ka humbur kontrollin mbi Ngushticën, e cila transportonte një të pestën e tregtisë botërore të naftës përpara se të fillonte lufta në fund të shkurtit.
Por tranzitet përmes rrugës ujore mbeten shumë poshtë niveleve të paraluftës dhe gjurmuesit e anijeve thonë se ato kanë rënë më tej ditët e fundit , pasi sulmet ushtarake në rajon kanë rifilluar pas një ndërprerjeje njëjavore.
Administrata Trump pohon se eksportet totale të naftës nga rajoni tani janë më të larta se sa ishin para fillimit të luftës, nëse kjo shifër përfshin edhe tubacionet e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që anashkalojnë Hormuzin.
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, tha se më shumë se 17 milionë fuçi naftë kaluan tranzit nëpër Ngushticë të hënën, një rekord i ri në kohë lufte. Rreth 20 milionë fuçi në ditë naftë bruto dhe produkte të tjera kaluan nëpër ngushticë përpara se të fillonte lufta më 28 shkurt./mxh
