Pas sulmit të dështuar në Aeroportin Leipzig/Halle, BE qëndron i bashkuar në mbështetjen për Gjermaninë, u bë e qartë në takimin e ministrave të Jashtëm në Irlandë. Ministrat shprehën qartë mbështetjen për Ukrainën.
Wicklow është një qytet i njohur në bregun lindor të Irlandës. Peizazhi në këtë zonë është kaq mahnitës sa ka shërbyer si sfond për shumë filma. ‘Braveheart’, për shembull, dramë historike me Mel Gibson në rolin kryesor, u xhirua këtu. Filmi flet për pushtet dhe hakmarrje.
Nuk është një sfond i keq që ministrat e Jashtëm të zhvillojnë konsultime të përbashkëta, për reagimet e Gjermanisë ndaj Rusisë . Askush nuk flet për hakmarrje në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së, por një përgjigje ndaj incidenteve të shumta me dronë të muajve të fundit është qartësisht e dukshme.
‘Ne do ta mbështesim Gjermaninë’
“Ne do ta mbështesim Gjermaninë në gjithçka,” tha ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen. Finlanda dhe shtete të tjera të BE duan të thërrasin ambasadorin rus. Kryediplomatja e BE, Kaja Kallas, foli për një “sinjal të fortë”. Gjermania ka bërë shumë, tha ajo; tani duhet të diskutojmë se çfarë mund të bëhet së bashku kundër Rusisë.
Po shqyrtohet mundësia e përfshirjes së 1.600 rusëve , kompanive dhe organizatave të tjera në listën e sanksioneve. Edhe Franca dhe Spanja flasin për solidaritet, megjithatë ministri i Jashtëm i Spanjës kujton se Europa ka disa kufij. Një thumbim i lehtë, pasi Spanja ndihet mjaft e braktisur nga partnerët evropianë në krizën e Ceutës.
Mbështetje edhe për Ukrainën
Por, në parim, qëllimi ështët’i dërgohet Rusisë mesazhi se jo gjithçka do të tolerohet dhe se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha, udhëtoi posaçërisht në Irlandë për të kërkuar ndihmë për vendin e tij. Veçanërisht me afrimin e dimrit. Ukrainës i duhen para për infrastrukturën e shkatërruar dhe raketa mbrojtëse për t’iu kundërvënë raketave ruse. Të dyja janë, veçanërisht në Evropë, po aq të vështira për t’u gjetur sa benzina e lirë.
Megjithatë, ministri gjerman i Jashtëm, Johann Wadephul, dëshiron të flasë përsëri me disa vende ‘që ende kanë rezerva’. Në këtë kontekst, gjithashtu, përmendet vazhdimisht emri i Spanjës. Më shumë sanksione kundër Rusisë, më shumë mbështetje për Ukrainën dhe forçimi i forcave të mbrojtjes së Evropës: kjo mund të jetë strategjia parandaluese evropiane me të cilën synohet të përballohet ky dimër.
Në mesditë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu folën për strategjinë evropiane të mbrojtjes.
Von der Leyen e përshkroi incidentin me dron në Leipzig si “një sulm me pajisje ushtarake, i kryer nga agjentë rusë në tokën evropiane”, diçka që nuk do të tolerohet. Së bashku me NATO-n, do të forcohet mbrojtja e BE; vendet duhet të alokojnë edhe më shumë burime për mbrojtjen e tyre, deklaroi Rutte.
Çështja e migrimit gjithashtu në tryezë
Dhe megjithatë, jo gjithçka rrotullohet rreth situatës në Evropën Lindore. Spanja, Italia dhe Greqia kanë tërhequr sërish vëmendjen te fuçia i barutit që është Lindja e Mesme, e cila është burim shqetësimi dhe frike në këto vende.
Parashikohen demonstrata proteste në disa qytete spanjolle kundër situatës në qytetin Ceuta. Mijëra marokenë janë bllokuar atje, fati i tyre krejtësisht i pasigurt. Nuk dihet ende se kush e nxiti eksodin masiv nga Maroku në mes të gushtit. Spanja dyshon se, edhe në këtë rast, ka lidhje me Moskën.
Për tre ditë, ministrat e Mbrojtjes dhe të punëve të Jashtme të BE-së të mbledhur në Irlandë diskutuan për sigurinë e BE. Pati orë me diell, por edhe reshje të përkohshme. Prandaj, zgjedhja e veshjeve të duhura ishte një sfidë e vërtetë. Kryediplomatja e BE, Kallas, zgjodhi një bluzë ku qenë shkruar ‘Love’ dhe ‘Peace’ dhe me shumë pëllumba paqeje./mxh
