Katy Perry e ka përshkruar lidhjen e saj me Justin Trudeau si “dhuratën më të madhe” që i ka ardhur në jetë. Këngëtarja 41-vjeçare foli për periudhën e vështirë pas ndarjes nga Orlando Bloom dhe zbuloi se pikërisht gjatë kësaj faze tranzicioni njohu njeriun që sot e quan “dashuria e jetës së saj”.
“E vërteta është se viti i kaluar ishte vërtet i vështirë”, tha Perry në një intervistë për revistën People.
Turneu “Lifetimes Tour” përkoi me një periudhë ndryshimesh të mëdha për këngëtaren, e cila fillimisht u përball me kritika të forta për albumin e saj të fundit, “143”, dhe më pas me ndarjen e shumëpërfolur nga Orlando Bloom, partneri i saj prej gati 10 vitesh dhe babai i vajzës së saj.
Pavarësisht “turbullirave” në jetën personale dhe profesionale, Perry thotë se nuk u dorëzua.
“Mësova se si të rikthehesha te qëllimi im dhe mora dhuratën më të madhe nga ky turne: takova dashurinë e jetës sime”, u shpreh ajo.
Bëhet fjalë për 54-vjeçarin Justin Trudeau, ish-kryeministrin e Kanadasë, të cilin Perry e njohu gjatë turneut. Një vit më vonë, këngëtarja shprehet se është më e lumtur se kurrë.
Këngëtarja e nisi turneun në prill të vitit 2025, vetëm pak muaj para se përfaqësuesit e saj dhe të Orlando Bloom të konfirmonin ndarjen.
“Ndoshta ishte periudha më e vështirë. Të gjithë miqtë e mi ishin në shtëpi, ndërsa unë qaja dhe ndihesha sikur isha shumë larg. Por atëherë engjëjt e mi u vunë në lëvizje. Ata ishin vërtet pranë meje”, kujtoi ajo.
Në fund të atij muaji, Perry dhe Trudeau nxitën thashethemet për një lidhje romantike, pasi u shfaqën së bashku në një darkë në Montreal. Dy ditë më vonë, ish-kryeministri kanadez u pa në një koncert të këngëtares, së bashku me vajzën e tij. Trudeau ka tre fëmijë nga martesa e tij e mëparshme.
Në tetor, çifti e bëri publike lidhjen e tyre me një paraqitje të përbashkët në Paris, me rastin e ditëlindjes së Perry-t. Në qershorin e kaluar ata bënë edhe daljen e tyre të parë në tapetin e kuq, gjatë premierës së koncertit filmik në Festivalin Tribeca.
Ndërkohë, Trudeau ka qenë pranë saj gjatë gjithë verës, duke marrë pjesë si pjesëtar i publikut në 10 nga 20 koncertet e saj të fundit.
“Ai i di tekstet, më mbështet dhe më admiron. Është diçka jashtëzakonisht shëruese. Trudeau është vërtet një njeri që udhëhiqet nga zemra dhe mendoj se pikërisht në këtë ngjajmë. Jam shumë mirënjohëse”, tha Perry.
Për momentin, ylli i popit thotë se po përqendrohet te momentet e çmuara të përditshmërisë.
“Po e jetoj jetën time, në mënyrë që të mund të shkruaj për të”, u shpreh ajo./mxh
