Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, i kanë kërkuar një gjykate federale në Manhatan të rrëzojë aktakuzën ndaj tyre për trafik droge.
Avokatët e Maduros pretendojnë se gjykata amerikane është e detyruar me ligj ta hedhë poshtë aktakuzën, pasi bëhet fjalë për një drejtues të huaj që, në momentin kur u ngritën akuzat, njihej nga vendi i tij si kreu në detyrë i shtetit.
“Nuk ka pasur asnjë gjykatë amerikane që të ketë zhvilluar një proces penal ndaj një lideri të huaj, i cili në kohën e ngritjes së akuzave njihej nga shteti i tij si kreu në detyrë”, shkruajnë avokatët.
Tashmë pritet vendimi i gjykatës federale në Manhatan, ndërsa kërkesa e mbrojtjes hap një tjetër betejë ligjore për ish-presidentin venezuelian./mxh
